Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga foltorja e kuvendit nuk kurseu ironitë dhe sulmet ndaj deputetes socialiste Elisa Spiropali.
Pasi mori fjalën në seancë, Berisha akuzoi mazhorancën për mungesë transparence lidhur me një raport të qeverisë për integrimin, që, sipas tij, qytetarët nuk e njohin, ndërsa më pas iu drejtua personalisht Spiropalit me një koment ironik për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku.
“Të flasësh për integrimin dhe në raport qytetarët të mos dinë çfarë është thënë. Çfarë jeni ju, mafie, po! Dhe ju që po më shihni atje, do u bëj një pyetje unë këtu, si ka mundësi që ajo e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur, kurse ti e quan Skënderbe dhe të flak. Cila është arsyeja?”, tha Berisha.
Deklarata e tij solli reagimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit, e cila iu kundërpërgjigj duke e akuzuar Berishën për kontradikta politike dhe mungesë besueshmërie.

“Sali, je i pabesueshëm sepse njëkohësisht je edhe denoncuesi më i madh, edhe garantuesi më i madh i sistemit. Kur të çlirosh sistemin, kur të çlirosh partinë, opozitën, mund të flasim këtu dhe ndoshta termat doktor do të të ngjisin më shumë.
Sot për sot, kontradikta e të qenit edhe denoncues, edhe garantues, u jep qytetarëve të drejtën mos të të besojnë”, tha Spiropali.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar me përjashtim nga grupi parlamentar dhe partia deputeten Elisa Spiropali.
Ky paralajmërim i Ramës ka ardhur pas dy kritikave që Spiropali ka bërë në rrjetet sociale në lidhje me mënyrën se si po zhvillohen punët e brendshme në Partinë Socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje