Nga Gazeta Si-Të gjithë njerëzit që besojnë në egzistencën e UFO-ve apo dhe betohen se kanë parë një të tillë, të premten, si pjesa tjetër e “komunitetit të UFO-ve”, po prisnin me padurim atë që qeveria amerikane e kishte quajtur një moment historik: publikimin e parë të dokumenteve të papara më parë mbi fenomenet anomale të paidentifikuara, një koleksion prej 162 dokumentesh që përfshijnë periudhën 1948 deri në 2026, duke përfshirë 120 PDF, 28 video dhe 14 imazhe nga agjenci të tilla si Departamenti i Mbrojtjes, FBI, NASA dhe Departamenti i Shtetit.
Një dokument detajon një intervistë të FBI-së me dikë të identifikuar si pilot droni i cili, në shtator 2023, raportoi se pa një “objekt linear” me një dritë mjaftueshëm të ndritshme për të “parë shirita brenda dritës” në qiell.
“Objekti ishte i dukshëm për pesë deri në dhjetë sekonda, dhe pastaj drita u shua dhe objekti u zhduk”, sipas intervistës së FBI-së.
Një tjetër skedar është një fotografi e NASA-s nga misioni Apollo 17 në vitin 1972, që tregon tre pika në një formacion trekëndësh.
“Ndërsa administratat e mëparshme kanë dështuar të jenë transparente për këtë çështje, me këto dokumente dhe video të reja, njerëzit mund të vendosin vetë nëse duan të dinë çfarë po ndodh”, shkroi Presidenti Donald Trump në Truth Social pas publikimit të dokumenteve. “Argëtohuni dhe shijojeni!”
Departamenti i Luftës prezantoi të premten një faqe të re për publikun me dokumente dhe imazhe – por pa komente apo përfundime mbi materialin, duke shkruar se, “duke pasur parasysh përmasat e kësaj detyre,” do të “publikojë materiale të reja në mënyrë të vazhdueshme, sapo të zbulohen dhe deklasifikohen, me grupe dokumentesh çdo disa javë.”
“Materialet e arkivuara këtu janë raste të pazgjidhura, që do të thotë se qeveria nuk është në gjendje të bëjë një përcaktim përfundimtar mbi natyrën e fenomeneve të vëzhguara,” thuhej aty, duke mirëpritur gjithashtu “përdorimin e analizës, informacionit dhe ekspertizës së sektorit privat”.
John Erik Ege, drejtor rajonal në MUFON Texas (MUFON do të thotë Mutual UFO Network), tha se ishte “i intriguar”.
“Mendoj se ky është një hap në drejtimin e duhur,” tha Ege, terapist që e ndjek këtë çështje që nga fëmijëria. “Nuk mendoj se po përpiqen të fshehin diçka, por materialet që po publikojnë janë gjëra që i kemi ditur prej shumë kohësh.
“Nuk ka detaje të reja. Nuk ka prova të qarta se ata kanë trupa apo se kanë bërë kontakt, por jam shumë shpresëplotë se po lëvizim në drejtimin e duhur.”
Dokumentet e reja përfshijnë dekada memorandume ushtarake të deklasifikuara, raporte nga misionet hënore Apollo, dhe dëshmi nga individë që pretendojnë se kanë parë një UFO – ose një objekt fluturues të paidentifikuar – që dyshojnë se ka origjinë jashtëtokësore.
Edhe pse shfaqen disa pamje interesante, të tilla si një objekt i ndritshëm që bën kthesa 90 gradë mbi Kazakistan dhe një burim drite gjatë Apollo 11, nuk ka prova konkrete për ndonjë jetë ose teknologji jashtëtokësore.
Dokumentet përfshijnë disa faqe rreth një reference për një aeroplan të dyshuar si UFO të përdorur nga nazistët, të cilët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, investuan shumë në zhvillimin e teknologjive të reja të armëve, duke përfshirë të ashtuquajturat armë të mrekullueshme, të cilat kishin për qëllim të kthenin rrjedhën e luftës në favor të Gjermanisë.
Dokumentet e FBI-së thonë se një burrë i quajtur Paul Peyerl dha informacion që tregonte se nazistët e ndërtuan avionin në Pyllin e Zi në vitin 1944.
“Gjatë kësaj periudhe, ai vëzhgoi avionin e përshkruar më sipër. Ai ishte në formë disku, me diametër afërsisht 6.5 metra, i kontrolluar nga distanca dhe i pajisur me disa motorë reaktivë në pjesën e jashtme të strukturës. Ai përshkroi më tej se si seksioni i jashtëm rrotullohej rreth një kupole qendrore, e cila vetë mbeti e palëvizshme”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Ato nuk përmbanin ndonjë zbulim tronditës – as konfirmim për jetën jashtëtokësore – por shënuan një tjetër pranim të qartë nga qeveria amerikane se ajo ka hetuar shikime të objekteve të paidentifikuara.
Shumë ekspertë e dinin mirë se, edhe pse publikimi ishte “zhgënjyes”, informacioni mund të ishte mjaft zbuluese për lexuesin e zakonshëm.
“Këto nuk janë vetëm për komunitetin e UFO-ve, por për popullin amerikan dhe publikun e gjerë, për të dhënë njëfarë sigurie për transparencën,” tha Daniel Jones, 36 vjeç, bashkëadministrator me Ege i faqes në Facebook të Texas UFO Network, e cila ka më shumë se 25,000 anëtarë.
Jones thotë se është “shpresëplotë për më shumë qartësi nga qeveria” në publikimet e ardhshme.
“Besimtar” apo jo, dokumentet padyshim po krijonin shumë diskutime të premten; Ege tha se pret me interes publikimet e ardhshme të premtuara.

Ai beson se “shumë presidentë kanë dashur ta bëjnë këtë, dhe nuk e di nëse janë penguar apo dekurajuar”. Ai mendon se Trump nuk është “i frikësuar” apo i shqetësuar nëse kjo “sjell pasoja apo jo”.
Disa brenda komunitetit të UFO-ve besojnë se informacioni do të vihet në dyshim pavarësisht kush e publikon. Ege tha se, nëse do të bëhej një sondazh, “ndoshta 20% do të thoshin se kjo është një manovër mashtruese apo devijim.”
“Nuk besojnë te qeveria, së pari,” tha ai, duke shtuar se disa besojnë se alienët jetojnë mes nesh dhe se qeveria ka bërë marrëveshje me jetë jashtëtokësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje