Nga Gazeta ‘Si’- Raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë ka shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se raporti evidenton problematika serioze që sipas tij ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar votën kundër për heqjen e imunitetit të ish-zëvendës kryeministres Belinda Balluku si “njollë të zezë” për procesin e integrimit.
“Sikundër jeni në dijeni, në datë 5 maj, Parlamenti Europian në mënyrë unanime miratoi raportin për 2025 për Shqipërinë, ku evidentohen çështje dhe problematika që duhet të trajtohen nga Kuvendi. Ka kontribuar që në këtë raport të ketë njolla të zeza për Shqipërinë që vështirësojnë integrimin, siç është 83 vota kundër për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e zëvendës kryeministres”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se projekt-rezoluta reflekton progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe akuzoi opozitën për tentativa politike me debatin.
“Projekt-rezoluta reflekton përparimin e Shqipërisë në rrugën e Bashkimit Europian dhe dëshmon arritjet e vendit gjatë këtij viti. Që të mos bëhemi qesharakë, Parlamenti Europian këtë dokument e miraton vetë në qershor dhe nuk mund të kërkohet që ne të bëjmë diskutimin para miratimit të tij”, deklaroi Balla, duke shtuar se debati në Kuvend është planifikuar për javën e ardhshme.
Raporti, i miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, vlerëson progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe angazhimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se vendi vijon të përballet me sfida të rëndësishme, si polarizimi politik, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Raporti kërkon gjithashtu rezultate më konkrete në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta, si dhe masa më efektive kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikut të drogës.
Po ashtu, eurodeputetët nënvizojnë nevojën për mbrojtjen e lirisë së medias, depolitizimin e administratës publike dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, deklaroi se Shqipëria mbetet ndër vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se objektivi për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 është realist, nëse vijon zbatimi i reformave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje