Politike

Kuvend, opozita kërkon interpelancë me Ramën dhe Karakaçin

Nga Gazeta ‘Si’- Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancën e radhës plenare.

Në fokus të diskutimeve do të jenë interpelancat me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në rendin e ditës është parashikuar gjithashtu një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, me kërkesë të deputetes demokrate Ina Zhupa.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe një sërë projektligjesh të rëndësishme, mes tyre ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë”, amendimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, si dhe projektligjin për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.

Po ashtu, në seancë pritet të diskutohen edhe disa projektligje që lidhen me taksat kombëtare, akcizat dhe mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse.

Në rend dite janë përfshirë edhe disa projektvendime për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, përfshirë Komisionerin e Avokatit të Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe anëtarë të institucioneve drejtuese të Bankës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë