Dieta e fëmijëve mund të ndikojë në shëndetin e tyre mendor, ku frutat dhe perimet lidhen me sjellje më të mirë, sipas një studimi të ri.
Fëmijët që hanë më shumë fruta dhe perime shfaqin më pak probleme të sjelljes, të tilla si ankthi, depresioni dhe tërheqja- ndërsa ata që hanë më shumë ushqime të ëmbla dhe të kripura shfaqin vështirësi më të mëdha në përballimin e agresionin dhe problemet e vëmendjes, ka zbuluar një studim i ri.
Studimi, i botuar në revistën Nutrients, sugjeron një lidhje të fortë midis dietës dhe shëndetit mendor të fëmijëve të vegjël.
“Sfidat e shëndetit mendor po rriten në mbarë botën. Identifikimi i faktorëve të parandalueshëm për sfida të tilla është i rëndësishëm dhe do të ketë ndikimin më të madh nëse identifikohet tek fëmijët e vegjël”, shkruan studiuesit.
Studimi vuri në dukje se shëndeti mendor është veçanërisht i rëndësishëm në fillim të jetës dhe kritik për rezultatet e ardhshme shkollore, aftësitë sociale dhe arsimin, të cilat ndikojnë në shëndetin gjatë gjithë jetës dhe rezultatet socioekonomike.
Ndërsa problemet e shëndetit mendor rriten në mbarë botën, studiuesit po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë dietën, stilin e jetës dhe faktorë të tjerë socioekonomikë që mund të jenë duke e formësuar këtë trend.
Studimi zbuloi se fëmijët që hanin perime dhe fruta më shpesh treguan nivele më të ulëta të problemeve si depresioni, ankthi dhe tërheqja, pavarësisht nga arsimi i nënës, vështirësitë financiare dhe simptomat e depresionit dhe ankthit të nënës.
Në të njëjtën kohë, një konsum më i shpeshtë i ushqimeve të ëmbla dhe të kripura u shoqërua me më shumë sjellje të papërshtatshme.
Problemet e sjelljes janë ndër problemet më të zakonshme të përshtatjes në fëmijëri dhe arsyeja kryesore për referimin në shërbimet e shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshentë.
Autorët shkruan se këto përfshijnë sjellje agresive dhe kundërshtuese dhe parashikojnë probleme sociale, si dhe arritje të dobëta akademike gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës.
Këto sjellje shpesh fillojnë tek fëmijët nën pesë vjeç.
Sipas studimit, rreth dy të tretat e fëmijëve që shfaqin probleme midis moshës dy dhe tre vjeç vazhdojnë të shfaqin nivele të larta të sfidave të ngjashme në moshën shkollore.
“Kjo tregon rëndësinë e identifikimit të faktorëve relevantë për shëndetin mendor në fillim të jetës”, përfundoi studimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje