Bota

Lufta në Iran, Trump: Papa po rrezikon shumë katolikë

Gazeta Si – Donald Trump sulmoi përsëri Papa Leonen XIV, dy ditë pas vizitës së Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio në Selinë e Shenjtë.

Papa “po vë në rrezik shumë katolikë dhe shumë njerëz”, theksoi presidenti amerikan gjatë një transmetimi televiziv, duke lënë të kuptohet se Leone favorizon një opsion të mundshëm bërthamor për Teheranin.

“Mendoj se nëse do të varej prej tij, do të ishte plotësisht në rregull që Irani të kishte një armë bërthamore”, tha ai në Salem News Channel.

Deklarata erdhi në përgjigje të një pyetjeje nga gazetari Hugh Hewitt, i cili pyeti pse Leone nuk ndërhyri në emër të Jimmy Lai, një aktivist i Hong Kongut që aktualisht është i burgosur në Kinë.

“Epo, Papa preferon të flasë për faktin se është në rregull që Teherani të ketë një armë bërthamore dhe nuk mendoj se kjo është një gjë e mirë”, u përgjigj presidenti.

“Nëse populli iranian do të kishte armë, do të luftonte. Unë e besoj këtë. Ata duhet të kenë armë dhe mendoj se po marrin disa. Sapo t’i kenë, do të luftojnë”, theksoi ai. “Nuk mund të jesh i paarmatosur kundër njerëzve me AK-47”.

Ndërkohë, përpara takimit të së enjtes, ambasadori i SHBA-ve në Selinë e Shenjtë, Brian Burch, i tha “Reuters” se takimi do të ishte një kohë për një “bisedë të sinqertë” rreth politikave të administratës Trump.

“Kombet kanë mosmarrëveshje dhe mendoj se një nga mënyrat për t’i kapërcyer ato është… përmes vëllazërisë dhe dialogut autentik”, tha Burch.

Nga Vatikani, Nënsekretari i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, Antonio Spadaro, shpjegoi se rëndësia e vizitës së Rubios te Papa, është përpjekje e Uashingtonit jo aq shumë për të “negociuar lëshime konkrete, por për ta rikthyer diskutimin në një nivel më të qetë dhe institucional”.

Rubio, një katolik praktikues, sipas Spadaros, “mund të shërbejë si një urë simbolike midis administratës dhe një elektorati që ndihet vërtet i pakëndshëm me spektaklin e Shtëpisë së Bardhë në konflikt të hapur me autoritetin më të lartë moral të traditës së vet”.

Në fund të fundit, Spadaro vëren se qëllimi është të “qetësohet retorika”. Gjatë krizës së fundit midis Leones XIV dhe Trump, u bë e qartë se, pavarësisht mungesës së fuqisë ushtarake, Vatikani vazhdon të ushtrojë ndikim të rëndësishëm moral në skenën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë