Bota

Sulm i armatosur në Shtëpinë e Bardhë, gjatë darkës së Trump me gazetarët

Një sulm i armatosur ndodhi gjatë darkës së gazetarëve në Uashington, ndërsa në sallë ndodhej edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Një person i armatosur tentoi të depërtonte në ambientet e darkës së përvitshme të gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, duke qëlluar me armë dhe plagosur një efektiv, përpara se të neutralizohej dhe arrestohej.

Ngjarja ndodhi në momentin kur ceremonia sapo kishte nisur. Sipas dëshmive, një lëvizje e pazakontë pranë hyrjeve të sallës u shoqërua me të shtëna dhe thirrje alarmi, duke detyruar të pranishmit të hidhen në tokë dhe të kërkojnë mbrojtje nën tavolina.

Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, që ndodheshin në tavolinën kryesore, u larguan menjëherë nga agjentët e Secret Service, të cilët ndërhynë me shpejtësi dhe në mënyrë të koordinuar. Brenda pak çastesh, salla u mbush me forca sigurie të armatosura rëndë, ndërsa të ftuarit u urdhëruan të evakuohen.

Zona përreth u izolua nga policia, ndërsa helikopterë monitoronin situatën nga ajri. Eventi organizohet çdo vit nga “White House Correspondents’ Association” dhe mbledh figura të rëndësishme nga politika, media dhe jeta publike amerikane.

Autori i dyshuar është Cole Allen, 31 vjeç, i cili u ndalua nga autoritetet. Ai kishte hyrë i armatosur me qëllim sulmin ndaj zyrtarëve. Ai konsiderohet një veprues i vetëm, ndërsa motivet e plota janë ende nën hetim.

Sakaq, nga të shtënat u plagos një person nga forcat e rendit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rreth dy orë pas incidentit, Trump reagoi nga Shtëpia e Bardhë, duke e cilësuar sulmin si një akt të rrezikshëm që synon të godasë institucionet demokratike. Ai theksoi se ngjarja nuk do të ndikojë në vendimmarrjet e tij politike, përfshirë edhe qëndrimin ndaj Iran.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë