Nga Gazeta ‘Si’– Në vitin 2025, arka e shtetit përfitoi rreth 2.6 miliardë lekë të ardhura nga lojërat e fatit, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.
Kjo rritje e konsiderueshme e këtij zëri fiskal mund të pasqyrojë si zgjerimin e aktivitetit në këtë sektor, ashtu edhe përmirësime apo ndryshime në mënyrën e deklarimit.
Megjithatë, në anën tjetër, të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë një rënie të ndjeshme të të ardhurave individuale të deklaruara nga lojërat e fatit. Në vitin 2025 janë raportuar rreth 23% më pak të ardhura personale nga ky aktivitet, të cilat zbritën në 85 milionë lekë, nga 110.7 milionë lekë një vit më parë.
Edhe pse të ardhurat nga ky sektor janë, në vetvete, të ndikuara nga elementi i “fatit” dhe luhatjet janë pjesë e natyrshme e tij, rënia e fitimeve të deklaruara individuale mund të lidhet gjithashtu me fragmentimin e fitimeve, nën-deklarimin apo nivele të ndryshme të informalitetit brenda sektorit.
Këto të ardhura lidhen vetëm me aktivitetet e kazinove, llotarive dhe lojërave të ngjashme, ndërsa bastet sportivem të cilat pritet të përbëjnë një zë të rëndësishëm tatimor, ende nuk janë të përfshira në raportim. Llotot mbeten ende në pritje të akteve nënligjore të qeverisë, pavarësisht se kanë kaluar rreth dy vite nga miratimi i rikthimit të tyre.
Sipas vlerësimeve të mëhershme nga KLSH dhe vetë Tatimet, shteti shtqiptar humb 7 deri në 12 miliardë lekë në vit për shkak të moslicencimit të operatorëve. Kjo përbën rreth 0.9% të të ardhurave tatimore kombëtare dhe prek drejtpërdrejt projeksionet e buxhetit 2025. Krahasuar me sektorin ligjor, tregu informal është shumë më i madh dhe operon jashtë çdo kontrolli institucional. Xhiroja e këtij segmenti vlerësohet në 150-250 milionë euro në vit, ose 18-30 miliardë lekë. Humbjet vjetore përputhen me vlerësimet e 7-12 miliardë lekëve në vit, ndërsa dëmi kumulativ që prej vitit 2019 arrin në 140-280 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje