Para

PD publikon dokumentet: JET Bank, rrezikon ta kthejë Shiqipërinë në nyjë të pastrimit të parave

Nga Gazeta ‘SI’ –  Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë një denoncim publik në Facebook, duke publikuar dokumente që sipas tij ngrenë dyshime serioze mbi mënyrën e licencimit të JET BANK nga Banka e Shqipërisë dhe standardet e ndjekura në këtë proces.

Në mesazhin e tij, Këlliçi i referohet dokumenteve të Ministrisë së Brendshme gjermane, të cilat sipas tij lidhen me shtetasin Oliver Hemmer, i përmendur si drejtues në një kompani europiane që ka pasur lidhje me aktivitetin e Gal Barak, një shtetas izraelit i dënuar në Austri për mashtrime financiare në disa vende të Europës.

Sipas denoncimit, Hemmer rezulton gjithashtu i lidhur me një kompani të regjistruar në Qipro, e cila sipas Këlliçit zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të JET BANK, bankës së parë online në Shqipëri.

Këlliçi e cilëson çështjen si një skandal, që rrezikon ta kthejë Shiqipërinë në nyjë të pastrimit të parave.

Denoncimi:

Skandali i radhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë!

Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licencimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.

Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Evrope OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak.

Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete evropiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.

Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, të parës bankë online në Shqipëri.

Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike. Banka e Shqipërisë ka licencuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.

Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!

Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë