Gazeta Si – Adi Çoba, i shpallur në kërkim, i cili ishte arratisur që prej datës 21 maj 2025 pas operacionit ndërkombëtar “Ura”, u arrestua në lagjen Shkozet të Durrësit nga efektivë të Qendrës Operacionale të DIA-s (Drejtoria e Hetimit Antimafie) të Barit dhe të BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) pranë SPAK-ut.
Sipas hetimeve, Çoba dyshohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte në Pulia, Shqipëri dhe Holandë. Ai ndodhej në lagjen e tij, e cila konsiderohet si një fortesë e grupit kriminal Troplini-Doçi.
Në kohën e arrestimit të tij, atij iu gjet në posedim një pistoletë automatike të mbushur me dy karikatorë, para cash shqiptare dhe dokumente të falsifikuara, duke përfshirë një kartë identiteti italiane dhe një patentë shoferi.
Adi Çoba ishte mbajtur nën vëzhgim për tre ditë nga agjentët e BKH-së, të cilët monitoruan çdo lëvizje të tij deri në momentin që e konsideruan të sigurt ndërhyrjen për arrestimin.
Operacioni “Ura”, i kryer më 21 maj 2025, në të gjithë Italinë, Shqipërinë dhe Belgjikën, kishte çuar në ekzekutimin e urdhrave të paraburgimit kundër 52 individëve, të lëshuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake në Bari dhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.
Grupi kriminal, dyshohet se janë përgjegjës për komplot për të trafikuar sasi të mëdha narkotikësh, pastrim parash dhe vepra të tjera penale.
Në të njëjtën kohë, në Itali dhe në Shqipëri u kryen sekuestrime asetesh që përfshinin pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa milionë euro.
Operacionet u koordinuan nga Eurojust në Hagë dhe Drejtoria Kombëtare Anti-Mafia dhe Kundër-Terrorizëm në Romë, me përfshirjen e DIA-s së Barit, autoriteteve shqiptare, Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë dhe policisë shqiptare.
Pas arrestimit të tij, Çoba u transferua në burgun e Durrësit, në pritje të procedurave të ekstradimit që tashmë kanë filluar përmes kanaleve diplomatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje