Politike

JET Bank në Kuvend, Këlliçi kërkon sqarime. 9 pyetje për Edi Ramën

Nga Gazeta ‘SI’- Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka parashtruar në Kuvend kërkesën e tij për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me licencimin e bankës së parë digjitale në vend, JET Bank.

Këlliçi u shpreh se nuk ka marrë përgjigje për pyetjet e drejtuara autoriteteve, ndërsa shprehu shqetësimin për rrezikun e pastrimit të parave.

“Licencimi i një banke nuk është dhe nuk duhet të shihet si një proces formal apo thjeshtë burokratik, por si një proçes gjithpërfshirës, pasi një vendimmarrje e tillë ka ndikim shumë më të gjërë jo vetëm në sigurinë e parave të shqiptarëve, por dhe në sistemin bankar në vend. Aspekti me shqetësues ku duhet të ishte dhe fokusi i qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj është pikërisht pastrimi i parave.Sot Shqipëria është bërë bazë jo vetëm e parave të pista të grupeve kriminale, të cilat marrin tendera e leje ndërtimi për ti përdorur si lavatriçe, por ajo është edhe baza e të ashtuquajturave Call Center, me anë të së cilave mashtrohen qytetarët Europianë në vlera qindra milionë euro”, tha deputeti në fjalën e tij.

Më tej, Këlliçi shtroi pyetjet për kryeministrin, i cili nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për interpelancë.

A ishte Kryeministri Edi Rama në dijeni për lidhjet e dyshuara të aksionarëve të JET Bank?

A mund të garantojë sigurinë e depozitave të qytetarëve në JET Bank?

A janë kërkuar verifikime nga institucionet (Financat, PP Parave, SHISH, etj.) për burimin e kapitalit dhe rreziqet e pastrimit të parave?

A janë kryer kontrolle të thelluara mbi aksionarët dhe drejtuesit e bankës, përfshirë shtetasit e huaj të përmendur?

A janë të vërteta pretendimet për ndikim politik në procesin e licencimit të JET Bank?

Si shpjegohet rritja e kapitalit nga 927 mijë lekë në 10 milionë euro brenda 3 muajve, dhe a është verifikuar kjo nga institucionet?

A janë kërkuar verifikime nga autoritetet e huaja për aksionarët dhe strukturën e pronësisë së bankës?

A janë informuar Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane, Autoriteti i BE-së kundër Pastrimit të Parave (AMLA), si dhe Delegacioni i BE-së në Tiranëpër licencimin dhe strukturën e JET Bank?

A ka marrë qeveria masa për të shmangur konflikt interesi mes JET Bank dhe kompanive të tjera të të njëjtit grup me përfitime fiskale?

Këlliçit iu përgjigj ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili e cila tha se bankat në Shqipëri “nuk i licencon kryeministri”, por një autoritet i pavarur si Banka e Shqipërisë.

“Mbikëqyrja e bankave bëhet nga institucioneve të pavarura dhe jo nga qeveria. Për ju nuk ka rëndësi se ku nis pushteti i njërit dhe tjetrit. Jemi përpara një debati për dy modele, që nuk përputhen kurrkund. Nga njëra anë është një opozitë që e shikon vendin vetëm keq dhe ka teori konspirative dhe nga ana tjetër, qeveria po punon për rrugën drejt BE-së. Bankat në Shqipëri nuk i licencon kryeministri, por Banka e Shqipërisë. Legjislativi nuk mund të ndërhyjnë tek pavarësia e bankave”, tha Ismaili.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë