Një ndeshje spektakolare që nga minuta e parë deri në fund, që konfirmon edhe një herë Liverpulin e Mançester Sitin, si dy skuadrat më të forta të kampionatit anglez. Kryesfida e kësaj jave në Premier League ka sjellë edhe humbjen e parë për Liverpulin, që nuk i përballoi dot kampionët në fuqi, duke u mposhtur në shifrat 2-1. Me ritëm dhe agresivitet të skajshëm, përballja e zhvilluar në “Etihad Stadium” ishte një duel që do të mbahet mend gjatë nga tifozët e të dyja skuadrave, pasi tashmë kampionati anglez është më i hapur se kurrë dhe rivalët janë më afër njëri tjetrit.

Vendasit ushtruan presion që në minutat e para, duke mos i lënë asnjë hapësirë dhe asnjë moment qetësie kryesuesve të kampionatit. Liverpuli ia doli me sukses këtij presioni të minutave të para, duke dalë në disa raste përpara, por jo me rrezikshmërinë e duhur. Në minutën e 18’ ndodhi episodi historik. Topi i përplasur në zonë nga sulmuesi i Liverpulit Mane dhe portieri i Sitit, Ederson është larguar nga vija fatale vetëm 1.12 cm para se të kalonte 100%.

Kjo ishte hera e parë që teknologjia për vendosjen e golit është përdorur në këtë shkallë në kampionatin anglez dhe saktësia i ka lënë të gjithë pa fjalë. Me pak raste të pastra për gol, por me një ritëm shumë të lartë, u duk se pjesa e parë po shkonte drejt një barazimi. Por në minutën e 41’, Kun Aguerro shpik një gol nga hiçi, duke mposhtur Alison dhe kalon në avantazh Mançester Sitin.
Në pjesën e dytë Liverpuli kërkoi menjëherë të reagonte, por nuk kishte saktësinë e duhur. Klop bën disa zëvendësime dhe në minutën e 64’ erdhi goli i barazimit. Firminjo shpëton nga mbulimi i mbrojtësve të Sitit dhe shënon me kokë në portën e Ederson.
Por nuk vonoi shumë reagimi i kampionëve në fuqi. Në minutën e 72’, pas një kundërsulmi të shpejtë, Sane kalon sërish në avantazh Mançester Sitin. Në minutat e mbetura, trajneri i “the reds”, provoi të gjitha kartat, por që nuk rezultuan të suksesshme dhe Liverpuli nuk e shmangu dot humbjen e parë sezonale.
Me këtë disfatë 2-1, stadiumi “Etihad” konfirmohet si një mallkim për “Të Kuqtë”, që kanë fituar vetëm një nga dhjetë ndeshjet e fundit të kampionatit. Sakaq me këtë triumf Siti i Pep Guardiolës tashmë ngjitet në vendin e dytë me vetëm 4 pikë më pak se Liverpuli kryesues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




