Gazeta Si – Paralajmërimi i ambasadës amerikane në Tiranë, se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë në Shqipëri për shkak të mbështetjes ndaj SHBA-ve në luftën në Lindjen e Mesme, ka ngritur në këmbë Antiterrorin dhe SHISH-in në Shqipëri.
Sipas raportimeve, që i referohen burimeve, bëhet me dije se njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj izraelite.
Edhe pse plani i masave kishte nisur më herët, pas këtij paralajmërimi është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë shtuar kontrollet në terren.
Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend. Në kuadër të këtij plani pritet të ketë edhe shtim të forcave policore në terren.
Pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë në fokus të shtuar sigurinë e objekteve diplomatike.
Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha REL-it se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.
Ambasada Amerikane në Tiranë dha dje alarmin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, në shënjestër mund të jenë edhe vende të zakonshme, si zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.
Në shtator 2022, hakerat iranianë sulmuan dhe bllokuan sistemin TIMS, ndërsa në korrik arritën të bllokonin për disa ditë punën e sistemin online të të dhënave të shqiptarëve, e-Albania.
Për ngjarjen, qeveria shqiptare, akuzoi drejtpërdrejt Iranin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike. Shtetet e Bashkuara sanksionuan publikisht disa zyrtarë iranianë për rolin e tyre në këto sulme.
Në janar të vitit 2020, ish-lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei (i vrarë para një muaji nga sulmet amerikano-izraelite pas nisjes së luftës në Gjirin Persik), paralajmëroi SHBA-të dhe vendet aleate të saj pas eliminimit të gjeneralit Qasem Soleimani.
Edhe pse nuk e përmendi me emër, Khamenei, duke iu referuar Shqipërisë, tha: “Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i mbrapshtë ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtarët e MEK kundër Iranit”.
Muxhahedinët MEK-ut në Durrës, përfaqësojnë një lëvizje opozitare iraniane në mërgim që synon të rrëzojë regjimin në Republikën Islamike.
Në vitin 2014 në Shqipëri u strehuan shumë anëtarëve të opozitës iraniane, të cilët dyshohet të jenë rreth 2.700 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje