Ngjarje

Sulmi kibernetik në Shqipëri, Google: U krye nga Irani

Sulmi kibernetik që goditi sistemet qeveritare shqiptare për ditë me radhë u ndërmor nga Irani. Në këtë përfundim ka mbërritur kompania amerikane e sigurisë kibernetike, Mandiant.

Mandiant është një prej kompanive me rritjen më të madhe në këtë fushë me mbi 2 mijë ekspertë dhe që së fundmi është blerë nga Google.

Në analizën e bërë, ekspertët e Mandiant thonë se të gjitha gjurmët për autorësinë e këtij sulmi të çojnë në Teheran.

Së pari, ata analizojnë kohën e sulmit, përmbajtjen e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre (Homeland Justice) dhe ngjashmëritë me kodin e programimit të virus, që është i njëjti kod që është përdorur për të goditur faqet e internetit të grupeve opozitare iraniane në gjuhën farsi (gjuha zyrtare e Iranit) dhe në arabisht.

Për kohëm, Mandiant thotë se nuk është rastësi që sulmi i parapriu mbajtjes së konferencës së muxhahedinëve në Shqipëri, që më vonë u anulua për arsye sigurie.

Megjithatë, Qeveria shqiptare thotë se dyshon te dy shtete, por pa përmendur emra. Dyshimet, siç ka mësuar Gazeta Si bien mbi Rusinë dhe Iranin.

Sa për sistemet, AKShI njoftoi ditën e enjte se ka rikthyer në funksion 100 për qind të gjitha shërbimet online që ofrohen nga e-Albania.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë