Futboll

Ish-kampioni i botës me Spanjën rrezikon 5 vite burg

Pas Ronaldos, Murinjos, Mesit dhe Marcelos, futbollisti i radhës që rrezikon burgun për shkak të evazionit fiskal në Spanjë, është Xabi Alonso. Ish-mesfushori i Real Madrid dhe i kombëtares së Spanjës ka rënë pre e të njëjtave akuzave për të cilat kanë dalë para gjykatës futbollistët e tjerë që kanë luajtur në La Liga në 10 vitet e fundit.

Alonso akuzohet nga autoritetet spanjolle për fshehjen e 3 milionë eurove që ai do duhej t’i paguante si taksa. Për këtë akuzë Alonso rrezikon deri në 5 vite burg, ose një gjobë të majme nëse gjen akordin me autoritetet spanjolle. Pikërisht këtë të fundit kanë gjetur si zgjidhje për të dalë nga situata shumë futbollistë më herët, si Ronaldo, Mesi apo Marcelo. Por, për ish-mesfushorin kampion botë me Spanjën në vitin 2010 situata është pak më ndryshe. Ai nuk pranon që të lidhë marrëveshje me gjykatën dhe tatimet në Spanjë dhe dëshiron t’i shkojë deri në fund këtij procesi. Alonso ka folur për mediet spanjollë në 1 janar duke thënë se është i bindur në veprimet që ka bërë dhe se nuk e ka shkelur ligjin në asnjë moment.

Gjyqi kundër Alonsos do të bëhet më datë 22 janar. Në rast se ai fiton shpallet i pafajshëm nga çdo akuzë dhe do të marrë një shpërblim simbolik nga ana e autoriteteve tatimore në Spanjë. Por në rast se humbet këtë gjyq, rreziku për Alonson është shumë i madh që ai të përfundojë në burg. Ligji spanjoll parashikon që për evazionin fiskal, dënimi mund të shkojë deri në 5 vite në qeli. Alonso është vetëm rasti më i fundit që kapet në evazion fiskal në Spanjë dhe tashmë ky fenomen po kthehet në shqetësues për futbollin spanjoll, për shkak të mangësive në ligjet financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë