Nga Gazeta ‘Si’- Pentagoni po shqyrton nisjen e një serie të gjatë operacionesh tokësore me qëllim goditjen e bërthamës së sistemit mbrojtës iranian. Sipas burimeve të mediave të huaja, ndërhyrjet fillestare mund të kufizohen në ishullin Kharg, terminali më i rëndësishëm naftës në Gjirin Persik si dhe në disa zona bregdetare me rëndësi të veçantë strategjike dhe ekonomike.
Në Shtëpinë e Bardhë këto zhvillime përmenden me tone që duken më shumë si presion politik për ta shtyrë Teheranin drejt rrugës diplomatike. Megjithatë, në qarqet ushtarake diskutimet janë më konkrete.
Situata po konsiderohet serioze: “Wall Street Journal” raporton për mbërritjen e afërt të rreth 17 mijë trupave në rajon, të gatshme për një ndërhyrje, ndërsa “Washington Post” flet për përgatitje që mund të zgjasin me javë për operacione ushtarake në territorin iranian.
Kalimi nga faza e sulmeve ajrore, që ka karakterizuar muajin e parë të konfliktit dhe ku SHBA-të dhe Izraeli kanë arritur dominim të plotë të hapësirës ajrore iraniane, drejt një angazhimi të mundshëm tokësor përbën një hap me rreziqe dhe të panjohura të reja.
Zyrtarë të mbrojtjes, të cituar në mënyrë anonime nga mediat amerikane, flasin për operacione të forcave speciale të mbështetura nga këmbësoria dhe nga një prani e fuqishme ajrore. Pentagoni ka rritur përdorimin e bombarduesve strategjikë për të shtuar fuqinë goditëse dhe për të mbështetur çdo ndërhyrje të mundshme tokësore.
Bombarduesit B-52, B-1 dhe B-2 operojnë nga baza të ndryshme, përfshirë atë në Fairford të Britanisë së Madhe dhe instalime në Evropë si Azoret, Franca, Rumania, Bullgaria, Gjermania dhe Greqia. Misionet ajrore zgjasin deri në 12–15 orë dhe kërkojnë koordinim të ndërlikuar logjistik. Këta avionë janë të pajisur me bomba kundër bunkerëve dhe raketa “cruise”, të përdorura për të dobësuar mbrojtjen e Gardës Revolucionare iraniane pranë objektivave strategjike.
Sulmet janë përqendruar veçanërisht në zonat bregdetare të Iranit, ku ndodhen sisteme kundër-anijeve, mjete patrullimi dhe depo minash detare. Ndërkohë, raportohet për shtimin e bombarduesve në rajon, duke e çuar numrin e tyre në të paktën 23 njësi të dislokuara jashtë territorit amerikan.
Nga ana tjetër, aeroplanmbajtësja “Ford” është tërhequr për riparime në portin e Splitit, në Kroaci, dhe pritet të zëvendësohet nga një tjetër anije e së njëjtës klasë.
Megjithë këtë mobilizim të madh ushtarak, përvojat e konflikteve të mëparshme mbeten një paralajmërim i fortë. Në shumë raste, ushtritë më të avancuara teknologjikisht janë përballur me vështirësi serioze kundër forcave guerile të armatosura lehtë.
Konfliktet në Afganistan, Irak, Liban dhe zona të tjera kanë treguar rrezikun nga sulmet me autobomba, atentatet vetëvrasëse, mjetet shpërthyese të improvizuara dhe pritave të papritura. Një kërcënim në rritje janë edhe dronët e thjeshtë komercialë, të cilët mund të përshtaten për të transportuar ngarkesa shpërthyese dhe për të goditur objektiva ushtarake me kosto të ulët.
Skenarë të tillë paraqesin rrezik edhe për trupat amerikane nëse ato përqendrohen në pika strategjike si ishulli Kharg. Eksperienca e Izraelit në luftën e Libanit më 2006 dhe taktikat e përdorura nga Hezbollah apo Hamas tregojnë se forcat e trajnuara mund të përdorin pozicione të fshehta dhe sulme të shpejta për të goditur dhe më pas për t’u tërhequr, duke e bërë të vështirë neutralizimin e tyre.
Në këtë kontekst, çdo operacion tokësor në Iran do të përballej jo vetëm me sfida ushtarake të drejtpërdrejta, por edhe me një mjedis kompleks dhe të paparashikueshëm sigurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje