Gazeta Si – Giuseppina Pesce jeton me një identitet të rremë, në një vend sekret. Ajo është vajza, mbesa, motra dhe gruaja e anëtarëve të “Ndrangheta”-s, një prej organizatave më famëkeqe mafioze në Itali me bazë në rajonin e Kalabrisë.
Peppe, vëllai i gjyshit të saj dhe Antonino, vëllai i babait të saj, Salvatore, ishin udhëheqësit e një prej klaneve më të rëndësishme, “Pesce”. Dhe ajo, bashkëpunoi me drejtësinë, e cila i arrestoi të gjithë.
Një fytyrë shfaqet në ekranin e kompjuterit, e zmadhuar, që duket më e re se 46 vitet e saj dhe aspak si gruaja stereotipike mafioze.
Në dorë, ajo mban botimet e librit që e shkroi bashkë me një gazetar të guximshëm dhe aktivist anti-“Ndrangheta”, Danilo Chirico. Libri titullohet “Vajza e Klanit” dhe doli në shitje këtë javë në libraritë italiane.
Znj.Pesce, çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?
Si fëmijë, nuk kuptoja asgjë. Më kujtohet një familje e madhe, dreka të dielave në fshat, tavolina për 50 ose 60 persona, një atmosferë festive të vazhdueshme.
Kur e kuptuat se familja juaj ishte një familje “Ndrangheta”?
Isha pesë vjeç kur gjyshi im, babai i nënës sime Angela, u zhduk në ajër. Më vonë mësova se ai kishte një lidhje me një grua të martuar dhe burri i saj e vrau. Deri në atë pikë, ne ishim, ose dukeshim, një familje e lumtur. Ishte atëherë që fillova të thithja ajrin e vdekjes.
Çfarë kujtoni nga ajo humbje?
Nëna dhe gjyshet e mia visheshin me të zeza. Gjërat e thëna dhe të pathëna. Kurioziteti të bën të dëgjosh, edhe pse nuk duhet. Ndjeja se diçka ishte e çuditshme.

Pastaj pati një tjetër vdekje.
Ishte viti 1990, isha 11 vjeçe. Një mbrëmje vere, në bregdet. Disa njerëz erdhën në shtëpinë tonë, folën me babanë tim dhe na çuan përsëri në Rosarno. Nëna ime filloi të qante në makinë dhe babai im u përpoq ta qetësonte. Ishte marrë hak për vrasjen e gjyshit tim dhe nëna ime kishte frikë nga hakmarrja ndaj vëllait të saj të madh, i cili ishte në burg. Megjithatë, ata e kishin vrarë vëllain e saj të vogël, dajën tim.
Çfarë kishte ndodhur?
Daja im, Pasquale ishte vetëm 18 vjeç. Ai ishte si një vëlla i madh për mua; flinte me ne, luanim së bashku. Bukëpjekësi që ai po vidhte e qëlloi, por ai nuk njoftoi menjëherë për ndihmë. Ndoshta kishte frikë, bukëpjekësi thjesht qëndroi aty dhe e pa të vdiste. Kur mbërriti ambulanca, ishte tepër vonë. Daja im kishte vdekur nga gjakderdhja. Nëna ime kishte rënë në depresion pas vrasjes së babait të saj. Ajo ishte tërhequr, ishte distancuar nga ne fëmijët, por po e merrte veten pak nga pak. Por ishte një goditje shumë e fortë.
Kush ju tregoi për ngjarjen?
Askush. E mora vesh të nesërmen. Po luaja në rrugë me vëllezërit e mi të vegjël, pashë dikë që lexonte gazetën dhe, meqenëse isha një fëmijë kurioz, shkova në anën tjetër dhe lexova titullin: ‘Vritet Pasquale Ferraro’. Qava. Dhe u zemërova me prindërit e mi, të cilët nuk më kishin dhënë një shpjegim. Doja të merrja pjesë në funeral, por babai më lejoi ta shikoja nga dritarja.
Në moshën 14 vjeçe, ju ikët nga shtëpia.
Me një djalë shtatë vjet më të madh se unë, Rocco Palaia. Nëna ime pothuajse nuk ishte më, mungonte për shkak të depresionit të saj. Doja të krijoja diçka timen. Pasi mbarova shkollën e mesme, duhej të shkoja në shkollë jashtë qytetit, por nuk më lejuan. Ishte koha e dashurive të para, e djemve që të joshnin dhe edhe unë u dashurova. Prindërit e mi ishin kundër; nëna ime nuk e pëlqente djalin, kështu që u arratisëm bashkë.

Arratisja, me një martesë të shkurtër.
Shkova të jetoja me të, me prindërit e tij. Dola nga dhoma e gjumit me kukullat në shtëpinë e një burri. Ai dukej si një djalë normal, më kishin paralajmëruar se drogohej, por unë nuk e besoja. Mendova se ishte një justifikim për të më penguar ta takoja. Por e vura re menjëherë. Brenda dhjetë ditësh, karakteri i tij doli në pah: i thashë se nuk doja të jetoja në një shtëpi me nënën e tij, dhe ai, i ofenduar, më goditi me shuplakë. Që atëherë, ishte një makth. Pastaj mbeta shtatzënë, fëmija ishte vajzë. Ai merrte drogë, pinte dhe më rrihte. Babai im, i cili nuk më kishte prekur kurrë, e mori si fyerje: “Pasi ma more vajzën, nise ta rrahësh”!
Pastaj babai juaj u arrestua.
Dhe burrit tim nuk i kishte mbetur askush që ta frikësonte. Kështu që më la në shtëpi me vajzën e vogël. Pastaj erdhi në jetë një djalë dhe më pas sërish një vajzë.
Dhe ju keni një tjetër histori dashurie.
Po, vite më vonë, kur im shoq hynte e dilte nga burgu dhe unë mbeta vetëm, pasi nëna ime u transferua në Milano. Kështu që lidha me një burrë më të madh në moshë, Domeniko, 20 vjet më të madh se unë, i cili më ndihmoi me fëmijët. Lindi një histori mes nesh. Xhaxhai Vincenzo, vëllai i babait tim, më bëri të kuptoj me një shaka se lidhja mes nesh ishte zbuluar.
Por në libër ju rrëfeni edhe situata privilegji, të cilat vinin nga të qenit pjesë e një familjeje të fuqishme dhe të frikshme.
Pata një aksident me makinë. Po ngisja pak shpejt, një zonjë e moshuar më ndërpreu rrugën, e rrëzova përtokë, kisha frikë se e kisha vrarë. Megjithatë, njerëzit e fshatit erdhën të më ndihmonin, edhe pse nuk isha lënduar. “Çfarë po bëni, shkoni tek ajo!”, – bërtita. Të nesërmen isha në punë në supermarketin e familjes, kur më thanë se djali i gruas do të vinte të më takonte. Mendova se duhet të kërkoja falje. Por më shpjeguan se ishte ai që po vinte për të më kërkuar falje: “Nëna ime ecën si e çmendur, po rrezikonte vdekjen tuaj…”, -më tha. Por jo, isha unë që rrezikova vdekjen e saj! Por për fshatin, ishte një padrejtësi që iu bë familjes Pesce. Kështu ndodhte çdo herë. Rezervoja një takim te mjeku me një emër tjetër dhe më duhej të prisja në radhë. Ata zbuluan se kush isha dhe më linin të kaloja menjëherë. Rezervoja një restorant për një pagëzim dhe nuk kishte vend, por papritmas shfaqej një vend i lirë.
Në prill 2010, ju arrestuan.
Në fakt, nuk kisha bërë asgjë. Gjithmonë e them këtë, por askush nuk e beson.
Nëse nuk do të kishit bërë asgjë, nuk do t’iu kishin arrestuar.
Unë them ‘asgjë’ me logjikën e një anëtari të një familjeje mafioze. Për mua, të qenit grua dhe bijë, të qenit afër një anëtari të familjes, nuk ishte krim. Nuk e kisha kuptuar kurrë se çfarë do të thoshte të mbështesje një klan mafioz. Shkova të takoja avokatë, vëllain tim, babanë tim, xhaxhain tim dhe u përpoqa t’u siguroja para në burg. Më dukej normale.

Si ishte burgu?
Ishte jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund ta pranoja, nuk e ndieja shumë, më dukej si diçka që nuk më përkiste. Luftova kundër tij dhe po e lëndoja veten, si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Kur gjykata konfirmoi arrestimin tim, u përpoqa të vrisja veten.
Si?
Bëra një litar me një çarçaf për t’u varur në banjo, në dush. U ngjita në një stol dhe e lashë veten të bija në boshllëk. Isha e dëshpëruar; nuk kisha dëshirë të përballesha me atë rrugë. Por kur stoli ra, bëri një zhurmë, roja që sapo kishte ikur u kthye, më zbuloi dhe bërtiti. Pas kësaj, nuk mbaj mend asgjë tjetër. U zgjova dhe i gjeta të gjithë duke bërtitur, me vjehrrën e xhaxha Antoninos, shefit, duke qarë në qelinë e saj. Kështu që më transferuan në Lecce.
A u përmirësuat?
Jo. Kalova në depresion, tentova vetëvrasje për herë të dytë. Procesi i rikuperimit filloi. Më çuan në Milano, në repartin psikiatrik të burgut të Operas. Një ferr i vërtetë. Një çmendinë, me njerëz vërtet të çmendur. Më larguan nga fëmijët e mi. Kërkova t’i takoja, por nuk më lanë. E lashë veten të lirë, u bëra anoreksike, refuzova ushqimin: nëse nuk mund të tentoja më vetëvrasje, e vetmja mundësi ishte të vdisja nga uria. Pesha 44 kilogramë, në fillim isha 61. Po e mbushja veten me ilaçe psikotrope; mbaj mend oficerët me doreza, shiringa dhe disa injeksione të mëdha: të burgosurit në kusgte të tilla i bien të fikët dhe flinin për tre ose katër ditë. Një situatë çnjerëzore.
Në izolim?
Po. Isha në izolim në regjimin “41 bis”. Kisha të drejtë për një orë kohë të lirë, por isha vetëm. Shkoja vetëm në bibliotekë. Nëse kisha nevojë për mjekun ose dentistin, i mbyllnin të gjithë të burgosurit. Nuk mund të kisha kontakt me askënd. Drejtoresha e burgut më tha: ‘Mos i fajëso të tjerët, është i gjithi faji yt’. Një ditë u ngrita dhe thashë: në rregull, ndoshta është më mirë të bashkëpunojmë, të gjejmë një mënyrë.
A nuk kishit folur kurrë me një gjykatës?
E thirra gjykatësin; ata menduan se doja të bashkëpunoja, por në vend të kësaj kërkova ndihmë, duke thënë se nuk kisha bërë asgjë dhe gjykatësi u largua. Pastaj takova prokuroren Alessandra Cerreti për herë të parë. Kjo zonjë më frikësoi shumë në fillim. Ajo hyri duke u dukur e zemëruar dhe tha: ‘Çfarë doni? Nëse keni diçka për të thënë, do të rri këtu; nëse jo, do të shkoj në Milano për të bërë pazar’. Unë u përgjigja, ‘Mund të bashkëpunoj, por nuk di asgjë’. Kjo është ajo që mendova: nuk i jepja asnjë rëndësi gjërave që mund të thosha. Por për prokuroren, vetë fakti që një grua nga familja Pesce po bashkëpunonte me sistemin e drejtësisë, ishte një sukses i madh; çdo gjë që dilte nga goja ime, kishte vlerë. Ajo më tha se duhej t’i jepja diçka konkrete.

Dhe çfarë i treguat asaj?
I thashë se daja im kishte një bunker në shtëpinë e tij. Por kjo ishte normale për mua.
Si ishin marrjet në pyetje?
Atë ditë biseduam për katër orë. Pati gjithsej 12 takime, disa prej të cilave zgjatën nëntë orë. Kokainë, armë, vjedhje, grabitje: gjërat dolën në dritë.
Falë dëshmisë suaj, anëtarët e familjes Pesce u dënuan.
Në gjyqin “All Inside”. Pastaj, falë edhe bashkëpunimit tim, lindën dy gjyqe të tjera, “All Inside 2” dhe “Califfo”. E bëra për tre fëmijët e mi. Ata nuk ishin të lumtur pa mua. Unë vuaja dhe ata vuanin.
Në nëntor 2011, u liruat nga burgu.
Unë hyra në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe shkova të jetoja vetëm në një vend ku nuk kisha qenë kurrë më parë, me vajzën time të madhe, e cila ishte 14 vjeçe, djalin tim, i cili ishte 9 vjeç, dhe vajzën time të vogël, e cila ishte 3 vjeçe. Ata donin të shkonin në shtëpi dhe po lidheshin me familjen e tyre në Rosarno nëpërmjet Facebook-ut. Bëra gabimin që e lashë Domenicon, partnerin tim të ri, t’u bashkohej atyre. Ishte një kohë konfuze, u grinda me vajzën time dhe gjithçka që bëra u prish. Kështu, që vendosa të tërhiqesha. Të ndaloja së bashkëpunuari. Mendova të kthehesha në Kalabri. Familja Palaia më trajtoi mirë, ishin shumë të ëmbël, më mbushën me dhurata dhe më siguruan se do të isha e sigurt. ‘Nëse duan të të lëndojnë, do të duhet të kalojnë mbi trupin tim’, më thoshte vjehrri im.
Pastaj u kthyet vërtet në Kalabri?
Jo. Për fat të mirë. Sepse jam e sigurt se do të më kishin vrarë. Do të më kishin zhdukur. Ndoshta do të kishin organizuar një vetëvrasje. Për fat të mirë, më arrestuan më parë.
Si ka mundësi?
Një javë para se të kthehesha në Kalabri, shoqërova vajzën time në Toskanë për të kaluar një fundjavë me një mikeshë. Meqenëse isha nën ‘arrest shtëpiak’, më arrestuan për arratisje. Kështu, më shpëtuan jetën.
Si mund të jesh e sigurt se do ju vrisnin?
Babai im më tha të mos i besoja askujt, të mos shkoja askund, ndërsa ai ishte në burg. Familja e burrit tim, do ta kishte vrarë Domenikon, do të më vriste mua, do të hakmerrej për tradhtinë dhe do t’i merrte fëmijët mbrapsht. Por unë e mora vesh këtë vetëm më vonë.
Dhe ju filluat të bashkëpunonit përsëri me drejtësinë.
Ndodhi kur e pashë vajzën time më të vogël të kequshqyer. E kuptova që kishte nevojë për mua. Vajza më e madhe më dërgoi një mesazh: ‘Mami, jam me ty, mund t’ia dalim’
Në libër, ju shkruani se në një moment të caktuar, vajza juaj donte të bëhej Karabiniere.
Është e vërtetë. Megjithatë, që në moshë të vogël, babai i saj e kishte rritur duke besuar se oficerët ishin armiqtë tanë. Kjo u bë e ditur dhe u raportua në një artikull. Megjithatë, të afërmit mendonin se Karabinieri aspirant, do të ishte djali i tyre dhe e rrahën: e kapën me të, edhe pse nuk kishte lidhje fare. Ata nuk mund ta duronin turpin e të pasurit një anëtar të familjes që ishte “polic”. Nuk është e lehtë të rritesh në këto kushte. Fëmijët shikonin një program televiziv dhe pyesnin: ‘Çfarë është ‘Ndrangheta?’. Ata përgjigjeshin: ‘Është familja e nënës tuaj, ata janë përgjegjës’.

Dhe ju i dënuat të gjithë.
Unë gjithmonë thosha vetëm atë që dija. Çfarë duhej të bëja?”
Si ishte jeta më pas?
E vështirë. Faza e parë, e tmerrshme. Gjyqi, seancat dëgjimore, udhëtimi, tre fëmijë për t’u regjistruar në shkollë, për t’u nxjerrë shëtitje… Ke një identitet të ri, një emër që nuk është i yti, nuk njeh askënd. Pastaj, me kalimin e kohës mëson. Mëson të jetosh me barrën, të lëvizësh, të jetosh me veten.
A ju ka kontaktuar ndonjëherë ndonjë nga familjarët tuaj?
Asnjëherë. Babai i fëmijëve të mi u shkruante letra atyre dhe u dërgonte foto. Tani jo më. E mora vesh se motra ime ishte bërë nënë, sepse bashkëshorti im u dërgonte foto të nipërve të mi, fëmijëve të tij.
Po sikur familjarët tuaj t’iu gjenin tani se ku jeni?
Vëllai im do të më vriste. Ata e kapën atë dhe gjyshen time, duke thënë: ‘Është një çështje familjare, duhet ta sqarojmë’.
Sa vjeç janë fëmijët tuaj tani?
Vajza ime e madhe është 31 vjeçe, djali im është 24 vjeç, vajza tjetër është 20 vjeçe. Unë jam gjithashtu gjyshe e një vajze 3-vjeçare.
Nëse do të mund të ktheheshit pas, a do të ndryshonit diçka?
Po. Do ta lija burrin tim dhe do të filloja një jetë të re. U përpoqa ta lija, me një letër, por ai nuk u përgjigj, ia përcolli babait tim. Marrëdhënia sekrete me Domenicon ishte një gabim.
A ishte bashkëpunimi zgjedhja e duhur?
Duke parë nga e kaluara, nëse do të kisha qenë më e fortë, ndoshta do të kisha përballuar gjyqin si e pafajshme dhe do të isha rikthyer në jetën time… Mendimi për të mos e parë më kurrë familjen time më rëndon. Më mungojnë pak.
A do të mposhtet ndonjëherë “Ndrangheta”?
Jo, sepse një brez i ri vjen gjithmonë dhe ata bëhen gjithnjë e më dinakë. Familja Pesce ishte tashmë përpara të tjerëve. Nuk duhet t’i imagjinoni bosat si kriminelë që enden me armë duke vrarë njerëz. Ata arritën të fitonin pushtet dhe parà, duke vepruar gjithnjë para syve të shtetit. Ata dilnin gjithnjë të pastër. Daja im Nino, nuk u kap; ai i di punët e tij. U dënua vetëm falë bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Falë jush…
Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje