Lajme

Cilat vendet do ta vuajnë më shumë krizën e energjisë?

Në vendet e varfra të botës, lufta e tretë në Gjirin Persik ka shkaktuar një garë për energji. Në Nepal, radhët e gjata për gazin e gatimit kanë detyruar njerëzit të kursejnë. Në Sri Lanka, kompanitë këshillohen të mbyllen të mërkurave për të kursyer karburant. Në Pakistan, shkollat janë mbyllur dhe universitetet kanë kaluar online. Familjet dhe qeveritë po përgatiten për atë që drejtuesja e FMN-së, Kristalina Georgieva, e ka quajtur “të pamendueshme”.

Të pamendueshmen, në fakt, e kemi parë më parë. Kur oferta globale e energjisë ngushtohet, më të prekurit janë më të varfrit. Ky model u pa qartë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në 2022. Ndërsa Europa subvencionoi energjinë për të mbrojtur familjet, kërkesa qëndroi e lartë dhe çmimet mbetën të larta për më gjatë, duke kaluar barrën tek importuesit me rezervë më të pakët dhe hapësirë fiskale më të kufizuar.

Rezultati ishte krizë: Sri Lanka, që tashmë ishte nën presion të madh financiar, shteroi rezervat e huaja dhe dështoi të paguante borxhet. Pakistani, përballë një ngushtimi të ngjashëm, përjetoi krizë të bilancit të pagesave, iu drejtua FMN-së dhe reduktoi importet. Me ngushticën e Hormuzit praktikisht të mbyllur, goditja e fundit mund të jetë më e keqe.

Cilat vende janë më të cenueshme ndaj një krize makroekonomike?

Për ta analizuar, u morën të dhëna mbi dy faktorë: ekspozimi ndaj goditjes dhe kapaciteti për ta përballuar atë. I pari mat varësinë nga energjia e importuar dhe rrjedhat e lidhura me Gjirin; i dyti reflekton rezervat financiare. Kombinimi i të dyjave prodhon një renditje të tregjeve në zhvillim që janë më të rrezikuara.

Jordania është shumë e ekspozuar dhe ka pak rezerva, por lidhjet me aleatët perëndimorë dhe donatorët e Gjirit e bëjnë një kandidat për mbështetje emergjente. Pakistan dhe Egjipti janë gjithashtu të larta në të dy listat. Pakistan shpenzon rreth 4% të PBB-së për importet e naftës dhe gazit, gati 90% nga Lindja e Mesme; Egjipti shpenzon rreth 3% dhe merr gjysmën e furnizimeve nga rajoni. Të dyja vendet varen shumë nga remitancat nga Gjiri (rreth 5–6% të PBB-së), që mund të bien nëse lufta ndërpret tregjet e punës ose detyron punëtorët të kthehen në vendet e tyre.

Ndërsa çmimet e energjisë rriten, shtohen kostot për importet dhe mund të ulen remitancat që vijnë nga jashtë, duke krijuar deficit më të madh në bilancin e pagesave dhe duke vënë presion mbi monedhat lokale. Kur valuta e vendit dobësohet, çmimi i naftës dhe i karburanteve të importuara bëhet edhe më i shtrenjtë. Për të mbuluar këto shpenzime, vendet duhet të përdorin rezervat valutore, të marrin borxhe nga jashtë ose të ulin importet e tjera.

Por në Pakistan dhe Egjipt, rezervat janë të kufizuara. Rezervat e Pakistanit mjaftojnë për pak më pak se tre muaj importesh, nën nivelin minimal që rekomandon FMN-ja. Egjipti, edhe pse ka marrë ndihmë të jashtme, ka borxhe të mëdha jashtë vendit, rreth 29 mld dollarë këtë vit, që është më shumë se gjysma e rezervave të tij. Kjo e bën të vështirë për ta të përballojnë një goditje të re. Në këto kushte, çdo rritje e çmimeve të karburantit mund të shkaktojë shpejt një krizë të bilancit të pagesave, veçanërisht kur kushtet e financimit bëhen më të rrepta dhe investitorët tërheqin paratë nga vendet në zhvillim.

Bangladeshi dhe Sri Lanka duket se janë gjithashtu të cenueshme, edhe pse ekspozimi i tyre nuk është maksimal. Rezervat e Bangladeshit mbulojnë pak mbi tre muaj importesh dhe vendi është tashmë në program të FMN-së. Fabrikat e veshjeve, shtylla kryesore e ekonomisë së eksportit, përdorin karburant të importuar, prandaj rritja e kostos së energjisë përkeqëson bilancin tregtar. Sri Lanka është në një situatë të ngjashme; sapo doli nga dështimi i 2022-s dhe rezervat mbeten të vogla.

Vendet më të përgatitura

Disa vende janë të ekspozuara, por kanë rezerva që mund t’i ndihmojnë të përballojnë goditjen. Tajlanda shpenzon rreth 7% të PBB-së për naftë dhe gaz, më shumë se çdo vend tjetër në studim, por ka rezervë strategjike për rreth 100 ditë importesh dhe mbulim mbi shtatë muaj në valutë. Nepali varet shumë nga remitancat (8% e PBB-së nga punëtorët në Gjirin), por ka shumë valutë të fortë. India shpenzon rreth 3% të PBB-së për energji të importuar, gjysmën nga Lindja e Mesme, por ka rezervat dhe stokun e naftës për disa muaj. Për më tepër, India mund të përdorë naftë ruse dhe prodhon shumë energji nga qymyri vendas, duke zvogëluar ndjeshmërinë ndaj rritjes globale të çmimeve.

Edhe nëse kriza makroekonomike shmanget, kostoja humanitare mund të jetë e madhe. Plehrat kimikë, të prodhuara nga gazi natyror, po bëhen më të shtrenjta, duke rritur kostot e prodhimit të ushqimit në vendet e varfra. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëroi se numri i personave me uri ekstreme mund të arrijë nivele rekord në 2026, nëse konflikti nuk përfundon shpejt. Stabilizimi i valutave dhe financimi i importeve mund të shmangë krizën financiare, por sigurimi i ushqimit të përballueshëm mbetet një sfidë tjetër.

Burimi:TheEconomist/Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë