Politike

Spiropali, forma humane e keqardhjes për PS

Nga Gazeta ‘Si’– Spiropali dje në kuvend ishte për t’u keqardhur, por më për të ardhur keq ishte ajo çka ajo tregon se përfaqëson: mazhorancën dhe Partinë Socialiste.

Duke u shprehur për largimin e saj nga detyra e ministrit të jashtëm, Spiropali zgjodhi rrugën më të gabuar duke thirrur për ndihmë Berishën.

Ajo tha se çdo detyrë në Kuvendin e Shqipërisë është nder i madh por e vetmja gjë për të cilën i vinte keq ishte që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër.

‘Vetëm për këtë jam e habitur, që i doli fjala”, tha Spiropali.

Berisha si orakull politik famëkeq i tha se largimin nga qeveria sipas tij në fakt nuk e kishte nga ai por nga Balluku duke e konsideruar Spiropalin edhe ‘një viktimë’ të saj.

Kryetari jetëgjatë i opozitës në fakt sipas Spiropalit ka pasur të drejtë. Për dy arsye, që ajo do të largohej, dhe se shkaktari nuk ishte çështje e lidhur ngushtë me mbarvajtjen e qeverisjes sesa për “çështje rivaliteti individësh”.

Kjo deklaratë politikisht është e dobët, në dy rrafshe. Sepse i dha opozitës një moment të lehtë për kundërsulm dhe sepse në fakt nxori në pah një klimë që po bëhet gjithnjë e më e dukshme brenda Partisë Socialiste.

Përgjigjja e nxituar e Spiropalit, e thënë me një lloj vetëmbrojtjeje politike, ishte një retorikë që i bëri më shumë dëm mazhorancës se sa kundërshtarëve të saj.

E thënë në një moment kur ndryshimet në qeveri sapo po votoheshin, ajo i dha terren Berishës për të mos e kursyer e për t’i thënë që shkarkimin e kishte nga të sajët, duke e quajtur “viktimë” të rivaliteteve të brendshme.

Për shumë vite, një nga shtyllat mbi të cilat është mbështetur Partia Socialiste ka qenë ideja e disiplinës së brendshme dhe e kontrollit të fortë politik. Sot duket se kjo logjikë po fillon të lëkundet.

Kur replika të tilla dalin në sallën e Kuvendit, kur opozita flet me siguri për rivalitetet brenda mazhorancës dhe kur vetë eksponentët e saj reagojnë në mënyrë emocionale ndaj këtyre provokimeve, krijohet përshtypja se disa nga konjukturat që e kanë mbajtur të bashkuar këtë forcë po fillojnë të dobësohen.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mazhoranca është në krizë. Por është afërmendsh një tregues se ka hyrë në një fazë tjetër, ku kontrolli i brendshëm dhe disiplinimi politik nuk funksionojnë më me të njëjtën forcë si më parë.

Një mazhorancë që qeveris ka më shumë se sa thjesht numra në Parlament. Ajo ka edhe detyrimin për të vendosur tonin e debatit politik, për shak të asaj që përfaqëson.

Edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që sugjerohet nga opozita apo nga politika e korridoreve, se largimi i Spiropalit mund të ketë ardhur si rezultat i rivaliteteve apo kërkesave të brendshme, një mazhorancë e fortë këto gjëra duhet t’i zgjidhë brenda vetes dhe të mos i nxjerrë sheshit.

Spiropali e cila nuk ka qëndruar gjatë në shumë poste, e nuk mbahet mend për punët por për thëniet legjendare me heronj më të mëdhenj se Skënderbeu, vërtetoi hamendësimet duke vërtetuar dhe disa probleme.

Në folklorin tonë ekziston urtësia e vjetër se ‘hallet e shtëpisë nuk nxirren në pazar’. Politika mbase nuk është familje por struktura dhe logjika e përgjegjësisë është e njëjtë.

Një forcë politike që qeveris është, në një farë mënyre, një shtëpi e madhe pushteti. Inatet, ambiciet personale dhe konfliktet politike janë pjesë e çdo partie. Por është menaxhimi i tyre ajo që ndan një shumicë të qëndrueshme nga një shumicë që duket e përçarë.

Spiropali mbase dje harroi që vetëpërmbajtja është një nga virtytet më të rralla në politikë, por edhe një nga më të domosdoshmet.

Dhe pikërisht kjo aftësi për të vendosur kufij, për të treguar maturi dhe për të mos shpërfaqur debatet brenda ‘familjes’, është ajo që dallon një politikë që ndërton institucione nga një politikë që ushqehet vetëm me konflikt.

Politika nuk duhet të matet vetëm nga fjalët që ndezin reagimin në sallë. Ajo nuk është vetëm ajo që thuhet, por edhe ajo që zgjidhet të mos thuhet.

Kur kjo vetëpërmbajtje mungon, debati politik fillon të rrëshqasë drejt një forme që i jep përparësi goditjes së kundërshtarit dhe jo argumentit. Dhe në këtë terren, opozita gjithmonë gjen hapësirë për të përfituar.

Kur një figurë e rëndësishme e shumicës parlamentare si Spiropali shpreh keqardhje që një parashikim i Berishës rezultoi i saktë, debati krijon përshtypjen se opozita po sheh më qartë brenda mazhorancës sesa vetë ajo.

Një mazhorancë e fortë në asnjë mënyrë nuk ka pse t’i japë opozitës luksin që të duket sikur e njeh më mirë dinamikën e pushtetit.

Kjo ‘rrëshqitje’ e saj i jep mundësinë PD-së për t’u mos u lodhur shumë për të ndërtuar narrativën e sulmit.

Sepse opozita, në fund të fundit, jeton politikisht nga dobësitë e kundërshtarit. Kur këto dobësi i krijon vetë mazhoranca përmes reagimeve të nxituara apo debateve të pakontrolluara, atëherë asaj i mbetet vetëm t’i artikulojë ato.

Por ky nuk është problemi i opozitës, por është dhe mbetet i mazhorancës, qeverisë së saj dhe Partisë Socialiste që përfaqësohet nga të tillë personalitete të keqardhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë