Nga Gazeta ‘Si’– Shqipëria, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, pritet të angazhojë trupat e saj paqeruajtëse në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi këtë të premte se ende nuk ka një vendimmarrje konkrete pasi pritet sqarimi lidhur me kushtet specifike që do të kërkohen.
Megjithatë ai tha se vendi ynë ka marrë masat dhe ka dërguar një ekip të forcave speciale e oficerëve të lartë në Gaza për të bërë një vlerësim paraprak.
“Republika e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat sa i takon situatës që zhvillohet aktualisht në Gaza, kemi parasysh që Rripi i Gazës është nën sigurinë e IDF-së, forcave ushtarake izraelite. Çdo lloj dislokimi trupash atje do të bëhet në koordinim me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe ushtrinë izraelite. Kemi dërguar një skuadër për të parë situatën atje, kemi një propozim nga Shtabi i Përgjithshëm se cili do të jetë angazhimi jonë.
Ky angazhim do të jetë i ndarë në nivele e faza sepse Shqipëria ka një eksperiencë shumë të madhe në fushën e misioneve ndërkombëtare, djemtë dhe vajzat tona kanë shërbyer në konfliktet ndoshta më të rrezikshme në botë. Kemi angazhim në Irak, Bosnje, Afganistan, Letoni, forca tona që kanë humbur jetën në këto misione. Ushtria shqiptare, Shtabi dhe komandat kanë nivel përgatitjeje për çdo mision, përfshirë edhe atë në Gaza, pavarësisht se ka rrezikshmëri të shtuar, për shkak të përfshirjes së disa aktorëve”, tha ai.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, theksoi se aktualisht nuk ka trupa të dislokuar në rajon.
“Në fillim do të jenë forcat e Shtabit të Forcës së Stabilizimit dhe pastaj do të shikohet mundësia e kontributit me trupat”, bëri me dije ai.
“Kemi qenë atje, janë vlerësuar elementët. Jemi në fazën e hartimit të dokumenteve ligjore për misionin, njëkohësisht Shtabi i Përgjithshëm po analizon detyrat, sigurinë e personelit që është më kryesorja, rregullat e angazhimit, mbështetjen logjistike dhe të gjithë elementët e tjerë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi Kingji.
Deri në verë, autoritetet presin që kompleksi i prodhimit të dronëve në vendin tonë të jetë plotësisht në funksion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje