Nga Gazeta ‘Si’- Rasti i fundit i Iranit, ku rrjetet e kamerave u përdorën për qëllime politike dhe informacioni u komprometua lehtësisht, duhet të shërbejë si paralajmërim për çdo vend që planifikon të vendosë teknologji survejimi masiv, përfshirë Shqipërinë.
Projekti ‘Smart City Albania’, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama në janar të vitit të shkuar, ka ngritur në fakt prej disa kohësh këmbana alarmi për survejimin masiv në vend dhe sigurinë kombëtare.
Kjo nismë, ku qeveria na paraqitet si ‘Big Brother’, parashikon vendosjen e rreth 5 000 kamerave inteligjente dhe sensorëve në rrugët, sheshet dhe institucionet publike e 20 qyteteve, me qëllim përmirësimin e menaxhimit urban, trafikut dhe sigurisë.
Por ndërsa qeveria e paraqet projektin si një investim modernizues, mënyra e zbatuar ngre pyetje të rëndësishme sigurinë kombëtare.
Dhe më shumë se zbatimi, shqetësuese është ngutja e Ramës për implementimin e kësaj nisme në një kohë kur bota po kufizon përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes masive.
Ndonëse ka vetëm një vit qëkur është prezantuar si nismë, Rama duket se e mori me ‘yrysh’ zbatimin e saj, aq sa sipas mediave, zv.ministrin e Brendshëm Julian Hodaj e shkarkoi vetëm se kërkoi më shumë garanci ligjore dhe një studim fizibiliteti para se të nënshkruante kontratën.
Nxitimi i Ramës shfaq një shqetësim të veçantë edhe për partneritetin me kompaninë arabe Presight, një aktor që operon në një zonë gjeopolitikisht të ndjeshme.
Bashkëpunimi me një kompani që ka seli ose lidhje në rajone ku tensionet politike dhe konfliktet janë të larta ngre shqetësime për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave.
Çdo ngutje për të instaluar teknologji survejimi masiv në bashkëpunim me aktorë jashtë vendit, shton rrezikun që të dhënat e qytetarëve, por edhe të institucioneve, të bien në duar të gabuara ose të përdoren për interesa që nuk lidhen me menaxhimin urban.
Kamerat dhe sensorët nuk regjistrojnë vetëm rrugët dhe sheshet e qyteteve, ato mund të përdoren për të monitoruar lëvizjet e forcave të sigurisë, qeverisë apo institucioneve të rëndësishme.
Nëse ky informacion bie në duart e gabuara, ai mund të përdoret për planifikime të sulmeve, sabotimeve ose spiunazhit politik.
Sakaq, nuk duhet injoruar as rreziku i hakimit të sistemeve kritike.
Një rrjet kaq i madh sensorësh dhe kamerash, i lidhur me internetin dhe me AI, është i ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike.
Dhe këtu duhet të ndërmendim që për vendin tonë nuk është i panjohur ky fenomen pasi edhe më parë, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike që kanë synuar institucione dhe databaza sensitive.
Përpos cënimit të privatësisë së qytetarëve, të cilët nuk kanë më një hapësirë private të paprekshme, një shqetësim që i shtohet me tërësej të tjerëve lidhet me mungesën e transparencës.
Ne nuk kemi asnjë informacion të detajuar mbi llojet e pajisjeve dhe teknologjive që do të përdoren, të dhënat që do të mbledhin, aftësinë për njohjen e fytyrës apo vendet nga të cilat janë blerë këto teknologji.
A janë këto kompani brenda standardeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian apo pajisjet përmbajnë mekanizma të fshehtë që mund të përdoren komprometim të sigurisë?
Sepse në një kohë kur shembujt ndërkombëtarë tregojnë se rrjetet e kamerave mund të hakohen, duke i dhënë mundësi aktorëve të jashtëm të përdorin të dhënat për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë publike, siguria kombëtare duhet të jetë në fokus.
Ndaj, në një kohë kur hakerimi i rrjeteve të kamerave është bërë gjithnjë e më masiv në nivel global, Shqipëria nuk e ka luksin të injorojë rreziqet që vijnë nga një sistem i tillë.
Për këto arsye, në vend që të kemi entuziazëm të verbër për teknologji të reja, duhet të tregohemi më të kujdesshëm.
Projekti duhet të zhvillohet me transparencë dhe standarde sigurie të forta në mënyrë që teknologjia të shërbejë për qytetarët dhe jo të bëhet një instrument potencial rreziku në kohët e pasigurta gjeopolitike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje