Politike

Vila e Enverit, pasqyra e enverucëve të sotëm

Nga Gazeta ‘Si’- Djegia e ish vilës së Enver Hoxhës, e përshkruar nga përfaqësues të PD-së si një akt kundër simbolit të diktaturës, nuk mbyll një kapitull por përkundrazi, hap një diskutim më të thellë: a ndërtohet ndërgjegjja qytetare jo vetëm ajo historike duke fshirë gjurmët?

Ish vila e dikatorit komunist i tremb pushtetarët e sotëm jo më shumë për të shkuarën sesa për të ardhmen-Të rinjtë nuk e njohin Enverin, e ndoshta nuk e kuptojnë edhe po t’ua tregosh, por e dinë çfarë bën një dikator i njëjtë si ai, edhe sot.

Enver Hoxha nuk është thjesht një emër në librat e historisë. Ai ndërtoi një sistem të tërë izolimi, frike dhe kontrolli absolut.

Vila ai ku jetonte nuk është vetëm një godinë por një dëshmi materiale e kontrastit brutal mes jetës së elitës komuniste dhe varfërisë ekstreme të shumicës së shqiptarëve.

Në një kohë kur qytetarët rrinin në radhë për bukë, kur kufijtë ishin të mbyllur dhe fjala e lirë ndëshkohej, udhëheqësi jetonte në një hapësirë të privilegjuar, të izoluar nga realiteti që vetë kishte krijuar.

Shqipëria ka nevojë për atë vilë, jo si nostalgji, dhe jo vetëm si muze i ndërgjegjes kolektive por edhe etalon i të sotmes.

Vendet që kanë kaluar trauma historike nuk i fshijnë gjurmët e së shkuarës por përkundrazi i ekspozojnë ato. Gjermania ruan kampet naziste si dëshmi. Rumania ka hapur për publikun shtëpinë e Çaușeskut sepse përballja me hapësirën fizike të pushtetit e bën më të prekshme të vërtetën. Dhe ka një arsye përse e bëjnë këtë.

Historia nuk mësohet vetëm nga dokumentet por ajo kuptohet edhe nga muret, nga mobiljet, nga arkitektura e pushtetit.

Vila e kthyer në muze lejon qytetarët, sidomos brezat e rinj, të kuptojnë si jetonte realisht diktatori. Çfarë privilegjesh kishte? Çfarë sigurie? Çfarë kontrasti me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme në vitet ’70 apo ’80?

Përtej kësaj, duhet thënë se ka edhe një dimension tjetër, më aktual. Duke ruajtur vilën si hapësirë reflektimi, ne krijojmë një pasqyrë krahasimi.

Si jetonin ata që predikonin barazi ndërsa shijonin privilegje të fshehta? Dhe si jetojnë sot ata që akuzohen për korrupsion, që ndërtojnë vila luksoze, që shfaqin pasuri marramendëse në një vend ku paga mesatare mbetet e ulët dhe ku mijëra të rinj largohen çdo vit në kërkim të një jete më të mirë?

Enver Hoxha fliste për barazi ndërsa sistemi prodhonte privilegj për një rreth të ngushtë.

Sot retorika ka ndryshuar, flitet për integrim, zhvillim, treg të lirë por pyetja mbetet e njëjtë: sa përputhet fjala me jetën reale të atyre që qeverisin?

Historia vërtetë nuk mund të përsëritet në të njëjtën formë, por mekanizmat e pushtetit, arrogancës dhe shkëputjes nga realiteti shpesh ngjajnë. Shkatërrimi i vilës mund t’i japë një kënaqësi të çastit PD-së, por zhduk një provë.

Një shoqëri që djeg monumentet e së shkuarës rrezikon të djegë edhe kujtesën. Dhe një shoqëri pa kujtesë është më e brishtë përballë abuzimit të ri me pushtetin.

Sepse vila e Enverit nuk është për Enverin. Është për ne. Nga ajo kuptojmë se Enveri nuk ka vdekur po është klonuar në ‘enverucë’ të vegjël të pushtetit që ashtu si ai, tjetër predikojnë dhe tjetër bëjnë.

Dikur thoshnim ‘ai (Enveri) ka pishinë’ dhe populli nuk kishte ujë.

Sot themi ‘pushtetarët kanë pishina por qytetarët ujë me orar.’

Enveri kishte sipërfaqe të madhe banimi, sot pushtetarët kanë më shumë se dy shtëpi ndërsa shqiptarët jetojnë në standardin e hapësirës së nevojshme për banim.

Madje sipas të dhënave të Censit të 2023-shit, 65% e banesave në Shqipëri janë midis 40–69 m², që përkthehet në hapësira relativisht të vogla për familje mesatare shqiptare. Vetëm rreth 10% e banesave janë mbi 100 m². 

Në kohë të ndryshme jemi njësoj. Ndaj, vila e Enverit shërben.

Ata që duan ta shkatërrojnë me motivin se simbolizon të shkuarën që duhet zhdukur, në fakt i tremben kutit të sotëm të publikut që tregon se çfarë kemi kaluar, dhe mat sa kemi ndryshuar.

Eshtë kuti që nuk duhet të na lejojë që privilegji i fshehtë i një pakice të bëhet sërish normë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë