Politike

Vetëvrasja e protestës tek ‘Vila e Enverit’

Nga Gazeta ‘Si’- Deklarata e Sali Berishës se nuk e dinte që kishte të huaj në godinën e ish-vilës së Enver Hoxhës gjatë hedhjes së molotovëve, është shqetësuese.

Ajo jo vetëm nuk e zbut dhe e përligj aktin por përkundrazi e thekson papërgjegjshmërinë.

Hedhja e një molotovi në një zonë urbane nuk është veprim simbolik por është një akt potencialisht fatal.

Në momentin që hidhet në një godinë apo në rrugë pranë bizneseve, ai krijon rrezik real për jetën e njerëzve dhe për pronën private. Askush nuk mund të garantojë që brenda nuk ka punonjës, kalimtarë, roje sigurie apo banorë.

Kjo qasje tregon në fakt një papërgjegjshmëri të vetëdijshme: Berisha e di natyrën e rrezikshme të veprimit, por e relativizon atë duke pretenduar se nuk dinte detaje të caktuara.

Ky është një gabim jo vetëm strategjik e moral por edhe tregues i një mosvlerësimi të rëndësishëm të jetës njerëzore dhe i një perceptimi të shtrembëruar të asaj që është e pranueshme në politikë.

Sulmet me molotovë në dyert e fasadat e bizneseve private nuk kanë asnjë lidhje me kauzën politike.

Berisha duhet të kuptojë se dëmtimi i pronës së qytetarëve të zakonshëm nuk është “mesazh ndaj qeverisë”.

Është dëm ekonomik për njerëz që nuk janë palë në konfliktin politik. Çdo shishe benzine e hedhur në drejtim të një fasade biznesi është një faturë dhe dëm më shumë për dikë që thjesht po përpiqet të mbajë hapur aktivitetin e tij.

Nëse qëllimi i PD-së është të dërgojë një mesazh politik kundër korrupsionit apo qeverisjes, adresat janë të qarta: Kryeministria, ministritë, institucionet që akuzohen për abuzim me pushtetin.

Aty është përgjegjësia politike, aty merren vendimet dhe aty duhet të drejtohet presioni simbolik i protestës. Kur përshkallëzimi bëhet në rrugë vetëm sa krijon klimë pasigurie që shkon përtej një nate proteste.

Pronari i një dyqani që sheh molotovë në rrugën e tij nuk e përjeton më si debat politik, por si kërcënim për punën dhe për familjen e tij.

Një lëvizje politike që pretendon të mbrojë qytetarët nuk mund, në të njëjtën kohë, t’i ekspozojë ata ndaj pasojave të zjarrvënies.

Njëkohësisht, çështja qëndron edhe tek përdorimi i molotovëve si mjet proteste për aq kohë sa ai nuk është një simbol politik por një mjet zjarrvënës.

Berisha e di që ai ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi klimën e protestës.

Pavarësisht nëse në retorikë ai relativizon apo jo hedhjen e molotovëve, mesazhi që u jepet protestuesve me këtë qasje është i qartë: dhuna është e pranueshme si instrument presoni.

Nëse kjo qasje pranohet sot me arsyetimin se “nuk dihej kush ishte brenda”, e njëjta logjikë nesër mund të justifikojë çdo formë tjetër përshkallëzimi.

Problemi nuk është vetëm tek fraza “nuk e dija”, por tek qasja që dërgon mesazhin e gabuar tek protestuesit se dhuna është e lejueshme për të arritur qëllime politike.

Një lider politik ka përgjegjësinë të udhëheqë me shembull dhe të vendosë kufijë të qartë. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi dobëson legjitimitetin e kauzës që pretendon të mbrojë dhe hyn në caqet e shkeljes së ligjit ku fare mirë mund të akuzohesh edhe për tentativë vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë