Nga Megi Iskurti- Kur Donald Trump i siguroi Vjosa Osmanit se mund ta telefononte në rast problemesh me Serbinë, fjalia e tij tingëlloi më shumë se thjesht mirësjellje diplomatike.
Ndërsa Prishtina gjendet në mes të debateve për presidentin, me zgjedhjet që janë në prag, mesazhi këtej Atlantikut u lexua si sinjal se Osmani është një kandidate me mbështetje të fortë amerikane.
Por, kryeministri Albin Kurti nuk ka mundur të thotë ende me plot gojë se do i sigurojë edhe një mandat tjetër Osmanit. Dhe kjo, sipas analistëve është parë si shenjë se ai nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do ta bëjë apo jo atë presidente.
Formalisht, Kushtetuta e Kosovës e ka të qartë procedurën, presidenti zgjidhet në Kuvend, me 80 vota në dy raundet e para dhe me 61 në raundin e tretë.
Kurti i ka votat për të zgjedhur presidentin në raundin e tretë. Çështja është nëse përmes konsultimeve me opozitën do të grumbullojë dhe 30 firma të tjera që ajo të hyjë në garë.
Por politika në Kosovë ka treguar që rrallëherë ka qenë vetëm matematikë.
Në këtë rast ajo duket më shumë si algjebër me të panjohura, ku njëra prej tyre është se kush e kontrollon realisht peshoren e legjitimitetit: shumica parlamentare apo SHBA-ja.
Analisti Mentor Nazarko, shprehet i rezervuar për Gazetasi.al për një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA në rikonfirmim, por nënvizon se sinjalet janë të dukshme.
Referencat në aktivitete si ai i Bordit të Paqes dhe afrimiteti me presidencën amerikane tregojnë, sipas tij, një investim politik.
“SHBA nuk investohen në figura ku nuk kanë besim,” argumenton ai.
“Dhe në një moment kur Serbia, sipas këtij leximi, po humb terren në marrëdhëniet ndërkombëtare, rikonfirmimi i Osmanit do të ishte prioritet strategjik për stabilitetin e Kosovës”, shton ai për Gazetasi.al.

Në fakt, Vjosa Osmani ka investuar fort në profilin e saj ndërkombëtar, veçanërisht në raport me SHBA-në. Ajo është perceptuar si figurë e besueshme në Uashington dhe si një presidente që ruan vijën euroatlantike pa ekuivokë.
Në këtë situatë, natyrshëm lind pyetja se përse Kurti nuk e do Osmanin sërish si presidente?
Belgzim Kamberi, analisti nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë për Gazetasi.al se Osmani ka funksionuar më shumë si një ‘partnere rivale’ e Kurtit.
Sipas tij, ajo mund të përbëjë më shumë një faktor rivalizues dhe kufizues për Kurtin, si në konsolidimin e pushtetit të brendshëm, ashtu edhe në politikën e jashtme.

“Në zgjedhjet e vitit 2021, ajo ishte e dobishme për Kurtin në fazën e marrjes së pushtetit ekzekutiv, ndërsa Kurti ishte vendimtar për realizimin e ambicies së Osmanit për presidente. Por kjo dobi reciproke sot është zbehur, sidomos pas rikonfirmimit të Kurtit pa Osmanin në zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 50 për qind dhe formimit të një qeverie të re nga Kurti me mandat të plotë katërvjeçar.
Megjithëse gjatë mandatit të saj pesëvjeçar Vjosa Osmani ka qenë kryesisht në linjë me Kurtin, ka pasur edhe nuanca mospërputhjeje, sidomos në politikën e jashtme, në një kohë kur Kurti po e centralizon gjithnjë e më shumë këtë fushë rreth vetes dhe Vetëvendosjes”, vëren ai për Gazetasi.al.
Ndërsa sipas Nazarkos, kjo është një manovër taktike e Kurtit.
“Nuk dua të besoj që ai po mundohet që t’i bëje dalje Osmanit. Osmani është një figurë konsullare me kredenciale. Në kushtet kur Kosova ka patur izolim ndërkombëtar të gjatë, vetëm ajo ka mundur ta çajë këtë izolim”, thotë ai për Gazetasi.al.
‘Karta e familjes Jashari’
Ajo që tjetër ka rënë në sy këtë debat, është fakti që Albin Kurti po lë të hapur mundësinë që një përfaqësues nga familja Adem Jashari të përfshihet në garën për president. A është kjo një përpjekje e tij për të krijuar një figurë unifikuese mbi bazën e simbolikës kombëtare?
Sipas Kamberit, po. Një kandidaturë nga familja e Adem Jasharit do të ishtë politikisht e dobishme për Kurtin në disa dimensione.
“Në planin e brendshëm, Kurti do të mund të përfitonte në rritjen e mëtejme të popullaritetit të tij, pasi do të perceptohej si lideri që solli në majën e shtetit një pjesëtar/e nga familja me simbolikën më të fortë kombëtare dhe me ndjeshmërinë më të theksuar patriotike në Republikën e Kosovës, duke u shfaqur kështu si figurë me kredenciale të forta patriotike.
Pra, Albin Kurti do të dukej sikur po ndërmerr një veprim me peshë patriotike që nuk e ndërmorën as ish drejtuesit e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj”, thotë ai.
Ndërsa në planin e jashtëm, sipas tij, një president/e me profil kryesisht simbolik, do ta zgjeronte hapësirën e veprimit të Kurtit.
“Kjo do të nënkuptonte një ndikim më të madh të kryeministrit në këtë fushë krahasuar me situatën aktuale, ku Vjosa Osmani ka një rol të dukshëm dhe aktiv në politikën e jashtme.
Në rast të një konsensusi për një president/e nga familja Jashari, një figurë e tillë do të mund t’i shërbente Kurtit duke e pozicionuar presidentin/en si urë bashkëpunimi mes opozitës dhe qeverisë sa herë që ai, si kryeministër, do të kishte nevojë për mbështetje më të gjerë politike, sidomos në administrimin e proceseve sfiduese si gjykimi në Hagë dhe dialogu me Serbinë.
Njëkohësisht, një president apo presidente nga familja Jashari do t’ia lehtësonte Kurtit ndarjen politike nga Vjosa Osmani në sytë e opinionit publik, duke amortizuar kostot e mundshme elektorale për Vetëvendosjen që mund të buronin nga prishja e raportit Kurti–Osmani”, thotë Kamberi.
Dhe së fundmi, sipas tij, një president/e nga familja Jashari do të krijonte përshtypjen se Kurti nuk synon pushtet absolut, se është i gatshëm për kompromis me opozitën dhe se po e ndan përgjegjësinë shtetërore me aktorë të tjerë politikë.
Ndërsa sipas Nazarkos, në një kontekst tjetër historik, ndoshta një figurë nga Jasharët do të ishte zgjedhje ideale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje