Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, në një konferencë për media së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka apeluar që në Kosovë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit të formohen institucione funksionale.
“Është me rëndësi që Kuvendi i ri të formohet dhe që liderët politik të bashkohen në atë mënyrë që të ndërpritet ky ngërç”, tha ajo.
Të premten në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kos tha se Unioni menzi pret që të intensifikojë punën me Kosovën. Shumë reforma në Kosovë, sipas Kos, kanë ngecur për shkak të zgjedhjeve.
Në anën tjetër, Kurti,tha se mosfunksionimi i Kuvendit ka shkaktuar vonesa në procesin e reformave dhe paralajmëroi se tani rrezikohet edhe përmbushja e afateve të qershorit.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Kanë kaluar më shumë se 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ri i zgjerimit nga Bashkimi Evropian duhet të sjellë avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja për anëtarësim në BE vazhdon të jetë rreth 90 për qind dhe është ndër më të lartat në mesin e vendeve kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, por nevojitet angazhim i përbashkët”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media.
Ai shtoi se Kosova ka shënuar progres në fusha kyçe dhe se kjo duhet të njihet nga Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.
“Nuk po kërkojmë rrugë të shkurtra apo favore, por vetëm një proces të bazuar në meritë”, ka thënë Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje