Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vlerësoi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese kundër padisë së Ramës për pezullimin e zv/kryeministres-ministres Belinda Balluku
Megjithatë, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka mëkate, sepse i ka dhënë kohë Ballukut të fabrikojë dhe falsifikojë dokumentet.
Berisha shtoi se kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese nuk kishte të bënte me Ballukun, por me atë vetë.
“Pas nëntë orësh të mbyllur në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baraz me grusht shteti kundër shqiptarëve. Natyrisht gjykata ka mëkatin e madh, sepse i dha Lubi Ballukut mbi dy muaj kohë të fabrikojë dhe falsifikojë çdo dokument. Siç thotë fjala, më mirë vonë se kurrë, me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave, në fakt bashkë me Edi Ramën. Ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, por me pezullimin e Edi Ramës nga detyra dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata”, tha Berisha.
Sipas tij, në këtë moment, populli opozitar duhet të shumëfishojë energjinë dhe forcat në këtë betejë deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Asnjë shqiptar nuk duhet të pranojë kurrë që të shkelmohet e ardhmja e fëmijëve tanë, e ardhmja europiane e jona”, shtoi Berisha. Ai theksoi ndër të tjera se mazhoranca nuk do ta lëshojë imunitetin e Ballukut.
Më pas, Berisha ka reaguar ashpër pas konfirmimit të emërimit të ish-deputetit të PD, Dashnor Sula si kryeinspektor i përgjithshëm.
Duke e quajtur “tradhti të lartë”, Berisha tha se Sula ka kryer veprim të turpshëm duke i dalë në krah Ramës në kohën më të vështirë për të.
Sipas Berishës, Rama ka arritur të mbajë pushtetin edhe duke korruptuar vazhdimisht eksponentë të opozitës.
Teksa iu përgjigj pyetjes së bërë nga njëri prej komentuesit, Berisha e cilësoi Sulën ‘’mollë të kalbur’’ që ka tradhtuar besimin e demokratëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



