Politike

Vendimi i qeverisë/ 2.5% indeksim page për administratën, presidentin dhe gjyqtarët e prokurorët

Nga Gazeta ‘SI’– Këshilli i Ministrave ka miratuar indeksimin e pagave me 2.5% për mbi 144 mijë punonjës të administratës publike, me efekt përfshirë edhe pagën e muajit janar, si masë për të amortizuar inflacionin. Për këtë rritje janë parashikuar rreth 100 milionë euro për administratën qendrore dhe vendore.

Indeksimi do të zbatohet nga 1 janari 2026 edhe për Presidentin e Republikës, gjyqtarët, prokurorët, Gardën, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe personelin shëndetësor, ndërsa priten vendime edhe për arsimin dhe pushtetin vendor.

Pas indeksimit, paga e Presidentit rritet në 435.625 lekë në muaj, ndërsa paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156.825 lekë/muaj.

Në sektorin shëndetësor, përveç indeksimit 2.5%, ndryshon edhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë në punë. Skema e re e ndan vjetërsinë në tre fashë: 0.6% për çdo vit për 10 vitet e para, 0.8% për 10 vitet pasuese dhe 1% në vit për periudhën 21–30 vite përvojë, duke e bërë rritjen më progresive dhe të lidhur me eksperiencën profesionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë