Nga Gazeta ‘Si’- Sot kryeministri Edi Rama shfaqet me të drejtë i pakënaqur me burgosjet pa gjyq, por nuk ishte kështu kur ai erdhi në pushtet dhe “shkopi i Maliqit” drejtohej tek publiku.
Prej vitesh, Rama ka folur për burgun, duke e kthyer nga një masë ekstreme në një përgjigje rutinë ndaj çdo shkeljeje, një ide e fryrë sistematikisht sa herë duhej dhënë mesazhi i “shtetit të fortë”.
“Formula” e burgut, e aplikuar për lloj e lloj shkeljesh – nga ato administrative tek ato urbane – ka zanafillën qysh një dekadë më parë me vjedhjen e energjisë elektrike. Kjo politikë u përkthye shpejt në arrestime të qytetarëve për lidhje të paligjshme të energjisë, shpesh për konsum minimal ose kamatëvonesa të papërballueshme.
Më tej, ndërsa mbështeste këtë narrativë, Rama shtoi burgun edhe për ndërtimet pa leje, vjedhjen e ujit, zaptimin e tokës, shtesat e paligjshme brenda një projekti të lejuar dhe deri tek parkimi dysh, duke krijuar atmosferën se çdo shkelje ishte rrezik për shtetin dhe çdo tolerancë, dobësi.
Por ndërsa përpiqej të ngrinte këtë “tribunë morale”, ai harroi të parashikonte se e njëjta frymë që e kishte mbjellë sa në tryeza lokale, aq edhe në mbledhje me dyer të mbyllura, një ditë do e sfidonte. Kjo nuk është vetëm ironi e fatit, por një leksion klasik i politikës: kur ngre idenë e ndëshkimit absolut, nuk mund të ndalosh më shoqërinë që gjithçka ta masë me këtë standard.
Sot, ndërsa hetimet dhe masat penale kanë prekur politikanë dhe figura të pushtetit, Rama flet për “burg pa gjyq”, për dënime morale që paraprijnë vendimin e drejtësisë dhe për cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë. Me qëndrimet kundër gjyqësorit, ai vë në diskutim vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe paralajmëron se “kjo nuk mund të mbetet kështu”, duke e zhvendosur betejën nga retorika politike te Gjykata Kushtetuese – të paktën për rastin e Veliajt dhe Ballukut.
Por Rama harron se vetë është mbarës i një shoqërie që ka mësuar të presë ndëshkime të shpejta dhe absolute për çdo shkelje – njerëz që kanë lidhur një tub uji pa leje, ndërtuar një shtesë për të fituar një dhomë më shumë, ose shkelur rregulla për të mbijetuar, jo për t’u pasuruar. Tani, kur e gjen këtë parim duke u kthyer kundër tij, ndjenja e padrejtësisë i duket e natyrshme.
Kur kjo frymë godet lart, ai kërkon procedura, durim dhe gjykim të paanshëm, ndonëse është pikërisht ai që prej vitesh e ka relativizuar procedurën duke e zëvendësuar me dënimin moral publik dhe idenë se burgu është përgjigjja standarde.
Sot kryeministri ka të drejtë kur shikon inflacion burgimesh pa gjyq sepse edhe teoria dhe praktika europiane tregojnë se burgu duhet të jetë mjeti i fundit i ndëshkimit, i rezervuar për vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kur shndërrohet në përgjigje standarde edhe për shkelje të vogla, sistemi humbet proporcionalitetin dhe, në afat të gjatë, besueshmërinë.
Kur “shteti i fortë” shfaqet vetëm me të dobëtit, një shoqëri ka të drejtë të krijojë perceptimin e drejtësisë selektive, ku ashpërsia e ligjit zbatohet vetëm poshtë.
Retorika e burgut ka krijuar edhe një paradoks të dukshëm: mbipopullimin e burgjeve, për të cilën qeveria ankohet vazhdimisht duke e shërbyer si argument për të minimizuar arrestimet pa gjyq.
Si Rama, ashtu edhe ministrat e drejtësisë kanë ngritur shqetësimin për kapacitetet e tejmbushura, sepse kur burgjet janë plot, sistemi është nën presion. Jo vetëm kostoja financiare, por edhe ajo sociale dhe humane e mbajtjes së një popullsie të lartë të dënuar për shkelje me rrezikshmëri të ulët, rritet.
Në këtë situatë, qeveria duhet të kuptojë se zgjerimi i listës së veprave të dënueshme me burg e thellon këtë krizë strukturore. Po ashtu, duhet të reflektojë se kriminalizimi i shkeljeve që burojnë nga informaliteti, varfëria ose mungesa e alternativave institucionale, nuk i adreson shkaqet e problemit. Burgosja për vjedhje uji nuk reformon sektorin e ujësjellësit, as ndëshkimi penal për shtesa pa leje nuk zëvendëson politikat e planifikimit urban dhe strehimit.
Kësisoj, politika e ashpërsimit penal po i kthehet Ramës si boomerang. Ajo jo vetëm prodhon burgje të mbipopulluara, por rrit tensionin social dhe ushqen bindjen se ligji funksionon në mënyrë të pabarabartë. Diskutimi nuk është nëse drejtësia duhet të veprojë apo jo, por se çfarë fryme ka ndërtuar politika rreth saj. Një shtet që mëson shoqërinë se ndëshkimi është zgjidhja për çdo devijim nuk mund të befasohet kur kjo logjikë aplikohet edhe ndaj vetë pushtetit.
Drejtësia që ndërtohet mbi frikë dhe shembuj nuk zgjedh viktimat sipas statusit, por sipas klimës që i është imponuar – dhe kjo klimë sot po i kthehet mbarështuesit të saj.
I vendosur i vetëm përballë republikës së prokurorëve dhe gjyqtarëve siç thotë, tani kryeministri ka nevojë të ketë publikun në anën e vetë.
Kjo është e drejtë, por a i duket e drejtë publikut të cilin e mbarsi me idenë e burgut për tre mandate?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



