Politike

Berisha: Rama nuk do të pranojë të heqë imunitetin e Ballukut

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është i bindur që sipas tij kryeministri Edi Rama nuk do i heqë imunitetin Belinda Ballukut.

Ai theksoi se do të jenë shqiptarët që sipas tij me qëndrimin e tyre kundër kësaj qeverie do t’i heqin imunitetin edhe Ballukut edhe Ramës.

Berisha komentoi edhe shtyrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese të cilin e konsideroi një show të shëmtuar në historinë e drejtësisë shqiptare por edhe botërore, duke shtuar se gjykata sipas tij tregoi se nuk ka dinjitet e moral.

“Rama nuk i heq imunitetin Ballukut, kjo është e qartë. Imunitetin asaj dhe Ramës do ja heqin shqiptarët. Ju garantoj se do ta realizojnë. Zemërimi po vlon në zemrat e shqiptarëve, temperaturat po rriten me shpejtësi. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë popullit të zemëruar. Zemërimi po shkon deri në palcë”, tha Sali Berisha.

Kryedemokrati shprehu bindjen se më 10 shkurt, kur do të mbajë protestën e radhës kombëtare, do të jetë dita e triumfit të qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë, që e cilësoi si organizatë kriminale.

I pyetur se çfarë strategjie do të ndjekë opozita në protestën e 10 shkurtit, Berisha u përgjigj: “Strategjia është deri në rrëzimin e Edi Ramës”.

Më tej ai theksoi se “Qeveria nuk ka legjitimiteti, ka shndërruar zgjedhjet në farsë. Qeveria ka vjedhur miliarda dhe bllokon drejtësinë. Këto dy faktorë deligjitimojnë çdo pushtet”.

Ai denoncoi edhe rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ku u shpreh se po shembet në çdo segment.

“Pra, ajo vallja Rama-Balluku me daulle dhe gërneta në inaugurimin e saj, ishte një show i turpshëm sepse rruga, sipas supervizorit, nuk plotësonte kushtet për t’u marrë në dorëzim. Dhe megjithatë ai që e ndërtoi, merr edhe disa milionë të tjera për mirëmbajtje. Dhe nga mirëmbajtja, siç e shihni ju, ajo shembet në çdo segment”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë