Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i PL Tedi Blushi, në interpelancën me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, kërkoi sqarime në lidhje me trajtimin e ish-Presidentit Meta në paraburgim.
Blushi tha se Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s që sipas tij ka të burgosur politikë, duke iu referuar këtu ish-presidentit Ilir Meta që ndodhet në qeli prej tetorit të vitit 2024.

“Për më shumë se 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem pa asnjë fakt, pa asnjë provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve”, tha Blushi.
Sipas tij, Metës i janë shkelur jo vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liria politike, liria e fjalës dhe e mendimit. Po ashtu theksoi se i është ndaluar takimi me deputetët edhe pse me ligj i lejohet diçka të tillë.
“Me pretendimin absurd se nuk ju sigurojmë dot jetën. Kur drejtori nuk ka në kontroll atë që ndodh në burgje, çfarë drejtori është? Zoti Meta ka lindur në mal dhe këtë më mirë se ju e di shefi juaj, Edi Rama”, tha Blushi.
Ndërkohë Lamallari theksoi se në raportin e Avokatit të Popullit nuk flitet për “trajtim degradues dhe çnjerëzor”.
Lamallari tha se nuk janë konstatuar shkelje administrative të personelit të IEVP-së Jordan Misja.
“Ministria e Drejtësisë dhe drejtoria e Burgjeve janë njohur plotësisht me rekomandimet e Avokatit të Popullit. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese. Raporti i Avokatit të Popullit në asnjë moment nuk përdor terminologjinë trajtim degradues dhe çnjerëzor.
Rekomandimet e raportit janë në proces shqyrtimi dhe po analizohen nga strukturat përgjegjëse të burgjeve, sipas afateve. Në rekomandimet e AP nuk konstatohen shkelje administrative, prandaj s’mund të kërkojmë përgjegjësi disiplinore. Kur nuk mund të flitet për përgjegjësi administrative, s’mund të flitet për përgjegjësi penale”, tha Lamallari.
Ministri i Drejtësisë theksoi se Avokati i Popullit ka konfirmuar që në rastin e Metës, s’ka persekuptim politik dhe cenim të lirisë së shprehjes.
Ai tha se pretendimet për shkelje të të drejtave duhen trajtuar me seriozitet dhe jo mbi narrativa politike.
“Përtej kërkesës legjitime të çdo deputeti për interpelancë me anëtarët e Këshillit të Ministrave unë mendoj se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të ndajmë qartë debatin politik nga e vërteta institucionale. Sistemi penitenciar nuk mund të jenë dhe nuk janë një instrument i betejës politike për interesa të ditës dhe as foltore parlamenti, dhe as studio televizive.
Çdo pretendim për shkelje të drejtave të njeriut duhet trajtuar me seriozitet, por edhe me përgjegjësi, mbi fakte konkrete, ligj dhe standarde të verifikueshme. Dhe jo mbi interpretime selektive apo narrativa me natyrë thellësisht dhe qartësisht politike”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



