Politike

Territorialja/ Balla i vendos afatin e fundit opozitës: Ju presim deri në darkë

Nga Gazeta ‘Si’- Seanca plenare e Kuvendit nisi me debate sa i takon bojkotit të Komisionit të Reformës Territoriale. 

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është njëherazi bashkëkryetari i këtij komisioni akuzoi mazhorancën se i ka vendosur ultimatum opozitës në lidhje me këtë çështje.

Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë konsultim për të mbledhur komisionin e posaçëm, madje edhe mbledhjet e kaluara janë zhvilluar pa dakordësinë e palëve.

“Në pazar jemi këtu ne? Kjo është e turpshme dhe më e turpshme ishte ai ultimatumi në Konferencën e Kryetarëve. Nëse doni ta ktheni parlamentin në koloni ndëshkimore për opozitën, bëjeni”, tha Boçi.

Sipas tij, deputetët nuk mund të kërkojnë ndryshime në një komision për të cilin kanë votuar fillimisht përbërjen e tij.  

“Pse noterët e juaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. E keni boshatisur. Kemi arsyen kryesore për të mos qenë aty me ju. Ne do jemi në shesh sigurisht, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju. Jo me atë shumicën të imponuar nga ju. Kjo që keni bërë është turp mbi turpe”, tha Boçi.

Ndërkohë Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i la afat opozitës deri në mbrëmje për të vendosur nëse do shkojnë apo jo në komisionin për Reformën Territoriale.

Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes.

“Ça thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Më komunikuan mbrëmë që ju jeni tërhequr nga bojkoti, të paktën këtë haber na keni sjellë dje. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendos dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakafonik sa për një çështje çoheni 2 veta. Tani jeni shpartalluar se ca kanë ik, ca janë pa qejf, ca nuk vinë. Zonja dhe zotërinj të PD-së, ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhje të Komisionit, ta dimë. Këtë gjë e keni deri në darkë, kur të vijë vendimi. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na e thoni deri në darkë, se në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjera”, tha Balla.

Përgjigjen e mori nga Luçiano Boçi, i cili tha se PD nuk ka bojkotuar, por mbledhjet janë thirrur në mënyrë të njëanshme.

“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme, mbledhja thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo, prandaj keni nevojë për Chat GPT. Mos vendosni ultimatume, ne jemi parti që vendimet i marrim vetë, keni për detyrë të zbatoni rregulloren dhe kushtetutën”, tha Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë