Politike

Ndryshim formule tek Territorialja? PS dhe opozita përballen sot në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’– Kuvendi mblidhet këtë të martë, më 3 shkurt, në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar 14 pika, ndër të cilat njëra prej tyre pritet të shoqërohet me debate politike.

Bëhet fjalë për propozimin e shumicës për ndryshime në përbërjen dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.

Partia Socialiste kërkon rishikimin e formulës aktuale të komisionit, duke kaluar nga ndarja e barabartë mes mazhorancës dhe opozitës në një përbërje me 17 anëtarë, ku 9 do t’i përkasin PS-së, ndërsa 8 opozitës.

Po ashtu, propozohet që komisioni të mos ketë më dy bashkëkryetarë, por të drejtohet nga një kryetar i mazhorancës, ndërsa opozita të përfaqësohet me një nënkryetar.

Sipas socialistëve, këto ndryshime janë të domosdoshme për të garantuar vijimin e punës së komisionit, pas bojkotit të mbledhjeve nga opozita.

Pas mungesës së opozitës në mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Territoriale, mazhoranca ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga kërkesa, e cila pritet të shqyrtohet dhe votohet sot në seancë.

Partia Demokratike nga ana tjetër pretendon se nuk ka marrë pjesë për shkak të agjendave paralele dhe jo për arsye bojkoti. Madje një ditë më parë në mbledhjen e zhvilluar nga Kryesia e PD-së, demokratët kanë vendosur që të mos i bojkotojnë komisionet e posaçme të reformës territoriale dhe zgjedhore.

Ndryshimi i qëndrimit të demokratëve erdhi vetëm pak orë pasi socialistët, deklaruan se do ta çonin përpara dhe do ta miratonin në seancën e së martës ndryshimin e përbërjes së komisionit, duke marrë edhe shumicën dhe drejtimin.

Kryetari i socialistëve, Arbjan Mazniku, shpjegoi se ngutja për të ecur përpara me reformën territoriale u diktohet nga zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, por edhe nga procesi i negociatave.

Në rast se propozimi miratohet, drejtimi i Komisionit të Reformës Territoriale do t’i kalojë deputetit socialist Arbjan Mazniku, ndërsa Luçiano Boçi nga Partia Demokratike do të mbajë funksionin e nënkryetarit. Nga ana tjetër, PD ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së komisioneve paralele për të hartuar propozimet e saj për reformat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë