Politike

Berisha mban foltoren e radhës: Rama, diktatori i drogës. Një mesazh dhe për efektivët

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD-së Sali Berisha ftoi qytetarët që të bashkohen më 10 shkurt në rrugët dhe sheshet e Tiranës për një “kryengritje” kundër qeverisë aktuale.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Shqipërinë në një “narko-shtet” dhe bëri thirrje për intensifikimin e protestave deri në largimin e tij nga pushteti.

Në foltoren e sotme, Berisha theksoi se zëri i qytetarëve sipas tij ka tronditur në themel regjimin e udhëhequr nga Edi Rama, të cilin e përshkroi si “diktator i drogës” dhe e krahasoi me regjimin e Enver Hoxhës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe rinisë shqiptare që të dalin në rrugë për të dhënë “mësimin e merituar” qeverisë.

“10 shkurt është dita tjetër e kryengritjes tonë paqësore. Qytetarët e Tiranës janë të ftuar të zbresin në shesh për t’i thënë leksionin këtij regjimi antishqiptar,” tha Berisha, duke shtuar se qeveria nuk ka alternativë tjetër përveç dorëheqjes.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se shqiptarët nuk mund të pajtohen me atë që ai e cilësoi si një regjim grabitqar dhe represiv. 

“Shqiptarët nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit ata përditë, që ka kthyer vendin në një narko-shtet, në një regjim që largon qytetarët e vet nga Shqipëria”, u shpreh kreu i PD-së, duke shtuar se misioni i opozitës është të shpëtojë kombin nga narko-regjimi.

Berisha deklaroi se sipas tij, pasuritë e Shqipërisë duhet t’u kthehen qytetarëve dhe të shndërrohen në begati për shqiptarët, në mënyrë që të rikthehet shpresa te rinia. 

“Shqipëria dhe fati ynë është një. Pasuritë e Shqipërisë duhet të kthehen në begati për shqiptarët, për të kthyer shpresën e rinisë shqiptare”, tha ai.

Berisha u bëri thirrje efektivëve që të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm dhe të qëndrojnë në anën e qytetarëve. 

“Ju bëj thirrje efektivëve të nderuar që të mos zbatoni urdhrat e atyre që ju drejtojnë. Jini me qytetarët që mbrojnë familjet tuaja”, tha ai. Berisha paralajmëroi se dhuna ndaj protestuesve mund të ketë pasoja. “Mos merrni misionin e gabuar, se gjithë jetën do t’ju rëndojë ndërgjegjja. Nuk mbrohet organizata kriminale, as hajdutët”, deklaroi Berisha, duke i ftuar policët që, pse jo, të bashkohen me qytetarët.

Berisha përfundoi mesazhin me një ftesë të hapur: “Le të bashkohemi më 10 shkurt për të përcjellë në Shqipëri dhe në mbarë botën mesazhin e fitores, mesazhin e triumfit tonë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë