Nga Gazeta ‘Si’- Pas mbledhjes së sotme të Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla njoftoi se për shkak të intensitetit të punëve do të shtohen seancat plenare që zhvillohen gjatë javës.
“Jemi në një proces intensiv, lidhur me kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë në aspiratat e saj për anëtarësim në BE.
Ajo që tha reporteri i PE-së Andreas Schieder, se me këtë ritëm reformash Shqipëria i ka të gjitha shanset të anëtarësohet në BE brenda vitit 2029, është diçka që secili prej nesh, anëtatë të Kuvendit të Shqipërisë, të kuptojë se është një legjislaturë historike sa i përket intensitetit të punës që duhet bërë në Kuvend.
I kam dëgjuar të ankohen se përse Kuvendi ka seanca të gjata dhe pse duhet të punojmë deri vonë, por unë them që duhet të jenë më të shpeshta dhe mbase duke shtuar numrin e seancave plenare në javë gjatë 2026-ës.”, tha Balla.
Ai u ndal edhe te Komisioni i Reformës Territoriale dhe tha se deputetët e PD sipas tij nuk lejohen nga Sali Berisha që të marrin pjesë në mbledhje.
Balla shpreson në një reflektim të demokratëve, për pjesëmarrjen ne komision ditën e sotme, në të kundërt, ai paralajmëroi se nesër në Kuvend do të aktivizohet mekanizmi zhbllokues.
“Unë nuk bëj ultimatume, por kam bërë një kërkesë kolegëve të PD që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit për ngritjen e Kuvendit të Posaçme për Reformën Territoriale.
Tre muaj pas ngritjes së Komisionit, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi i tyre për të marrë pjesë. Besoj dhe shpresoj që në mbledhjen e sotme, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin edhe detyrat, në mënyrë që nesër ne seancën e Kuvendit të mos vendosim mekanizma zhbllokues.
Ky mekanizëm zhbllokues do të aplikohet tek komisioni i posacëm për territorialen, nëse nuk ka reflektim dhe Shqipëria është e detyruar të adresojë rekomandimet shumë vjeçare të ODIHR.
Unë mendoj që dialogu e ka parakusht të vetëm pjesëmarrjen. Me këtë të dialogoj, kur ai nuk vjen”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



