Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari në një konferencë për media u pyet se çfarë qëndrimi do të mbajë mazhoranca për imunitetin e Belinda Ballukut.
Ai tha se qëndrimi është i njëjtë me atë që ka mbajtur kryeministri Edi Rama.
Sipas tij Rama ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për të sqaruar kompetencat e pushteteve në këtë rast pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
“Besoj që qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, argumentet janë paraqitur aty, ku në thelb qëndron pretendimi i një pushteti, konkretisht ekzekutivi për tejkalim të pushtetit të një pushteti tjetër, pra pushteti gjyqësor.
Këtu kemi të bëjmë edhe me pushtetin legjislativ që konfirmon mandatin e ministrave, përfshirë edhe mua. Kushtetuta e thotë qartë që ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”, tha ai.
Ai gjithashtu foli dhe për amnistinë penale dhe njoftoi se ajo pritet të përfshijë mbi 10 mijë persona, duke përfshirë të dënuarit për vepra të ndryshme penale, por edhe ata që janë në ndjekje penale për shkelje të lehta.
“Nga amnistia penale pritet që të përfitojnë mbi 10 mijë persona të cilët janë dënuar për vepra të ndryshme penale, por edhe ata për të cilët janë nën ndjekje penale për vepra të lehta. Kemi grupe të vulnerabël, të cilët kanë kryer vepra të lehta, që përfitojnë nga amnistia”, tha Lamallari.
Ministri theksoi rëndësinë e riintegrimit të këtyre qytetarëve në shoqëri.
“Ata meritojnë të riintegrohen në shoqëri. Ndërkaq, vazhdon puna për reformën në drejtësi. Nuk mendohej nga askush që do kishim shembjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, e kjo është bërë e mundur falë kësaj reforme tepër të rëndësishme dhe mbështetjes që i ka dhënë Partia Socialiste”.
Lamallari shtoi se drejtësia tani është më e llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. “Sot kemi drejtësi për të gjithë e llogaridhënëse përpara qytetarëve shqiptarë. Të drejtat e shqiptarëve duhet të zbatohen në përditshmëri. Drejtësia shqiptare duhet të flasë me standarde europiane. Shqipëria është një shoqëri e emancipuar, që përqafon vlerat europiane dhe demokratike. Duhet të jemi dinjitoz në tryezën e Brukselit”, u shpreh ministri.
Lamallari tha se nuk do të përfitojnë amnisti ata persona që janë nën hetim apo të dënuar nga GJKKO.
“Nuk do të përfitojnë amnisti persona që janë dënuar apo janë nën hetim nga ana e GJKKO-së. Amnisti përfitojnë vetëm persona, që janë dënuar ose janë nën hetim për vepra të lehta penale”, deklaroi ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



