Futboll

Liverpuli me “pesë yje”, dështon Totenhami

Kampioni i dimrit në Angli dhe gjithashtu pretendenti kryesor për të fituar trofeun në maj është Liverpuli. Skuadra e Jurgen Klop e ka fituar përballjen e vështirë me Arsenalin, që në fushë u dorëzua më lehtë nga çfarë pritej. 5-1 është mbyllur përballja mes dy skuadrave që në këtë sezon luftojnë për objektiva të ndryshëm.

Takimi nuk do të fillonte në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën e Liverpulit që u gjend në disavantazh që në minutën e 11. Për “topçinjtë” shënoi Ainsley. Por kaq do të ishte Arsenali në këtë përballje, pasi Liverpuli e mori kontrollin e lojës menjëherë në dorë, teksa goli i barazimit do të vinte që në minutën e 14’. Ishte braziliani Roberto Firminjo që barazoi për “the reds”. Ndërsa dy minuta më vonë, sërish Firminjo do e dyfishonte avantazhin, duke bërë shumë më të thjeshtë këtë përballje për Liverpulin. Golin e tretë do e gjente 14 minuta më vonë Sadio Mane. Ndërsa për ta vulosur fitoren do të mendonte egjiptiani Muhamed Salah, që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Me rezultatin 4-1, pjesa e dytë e kësaj përballje do të ishte thjesht një formalitet. Por gjithsesi skuadra e Jurgen Klop vijoi sërish të sulmonte për të kërkuar edhe golin e pestë. Ky i fundit të vinte përmes një penalltie që këtë herë u gjuajt nga braziliani Firminjo. Kështu sulmuesi kompletoi tripletën e parë për këtë sezon, që shijon akoma dhe më shumë, pasi skuadra e tij është në krye të tabelës.

Ndërkohë përveç fitores, Liverpuli mund të gëzohet edhe për rezultatet e ekipeve rivale. Pas bllokimit në javët e fundit të Sitit, këtë të shtunë është bllokuar edhe Totenhami. Skuadra e Spurs është mposhtur befasisht nga Uolverhemton në shifrat 1-3.

Më poshtë tabela e të gjitha ndeshjeve të Premier League:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë