Politike

PS kërkon ndryshim të formulës së Komisionit të Territoriales pas bojkotit të PD

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend një kërkesë për rifomatimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të Komisionit për Reformën Administrativo‑Territoriale, pas bojkotit të opozitës.

Socialistët argumentojnë se përfaqësuesit e opozitës nuk kanë marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit që prej themelimit në tetor 2025, duke bërë që vetëm një nga katër takimet e planifikuara të ketë pasur kuorum të plotë.

PS propozon që vendimi origjinal për përbërjen e komisionit të ndryshohet, duke siguruar shumicë më të qartë socialistësh dhe drejtimin e tij nën kontrollin e mazhorancës, ndërkohë që zëvendëskryetari të vijojë të jetë nga një forcë tjetër.

Në këtë formulë të re, Arbian Mazniku do të jetë kryetar i vetëm i komisionit, ndërsa Luçiano Boçi do të mbajë postin e nënkryetarit, dhe jo më atë të bashkëkryetarit.

Sipas PS-së, kjo do t’i mundësojë avancimin e reformës në përputhje me planin e punës, duke shmangur vonesat për shkak të bojkotit të opozitës.

Socialistët theksojnë se reforma administrative‑territoriale mbetet një nga prioritetet e programit “Shqipëria 2030” dhe ka nevojë për një komision funksional përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë