Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar nga Strasburgu atë që e cilësoi si bllokim politik të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Niko Peleshi për çështjen ‘Balluku’.
Berisha pretendon se pengesat vijnë për shkak se emri i Ramës është i pranishëm në dokumentet e dosjes dhe se institucionet po veprojnë në të mirë të pushtetit, jo të ligjit.
“Me këtë akt, Edi Rama fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ai është padrinoja, jo vetëm i narkoshtetit por dhe i sistemit kleptokratik që ka vendosur në Shqipëri.
Me këtë akt, ai u thotë shqiptarëve se ne ju kemi vjedhur dhe do të vazhdojmë t’ju vjedhim.
Por ky vendim është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë, revoltën, zemërimin e tyre, të ngrihen në revoltë dhe zemërim për të larguar një minutë e më parë këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, nga pushteti.
Shqiptarët në këtë betejë kanë me vete, kanë mbështetje, kanë aleatë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe mbarë qytetarët e lirë në Europë dhe në botë, të cilët shohin tashmë qartë tek narkodiktatori i Tiranës një kopje siameze të Noriegës apo Maduros së Venezuelës”, tha Berisha nga Strasburgu.
SPAK ka dorëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend, duke kërkuar autorizimin për arrestim, por procesi ka hasur vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve dhe vonesave në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe në shqyrtim të çështjes nga organet kompetente.
Opozita akuzon Peleshin se ka bllokuar mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke penguar trajtimin e kërkesës së SPAK.
Ndërsa Berisha e ka kthyer çështjen edhe drejt akuzave më të gjera, duke folur për një perceptim të kapjes së drejtësisë dhe influencës së politikës në proceset ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



