Politike

PD akuzon: Kuvendi dhe Kushtetuesja në mbrojtje politike të Ballukut

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas njoftimit të Kuvendit për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Sipas PD-së, kjo shtyrje përbën një strategji të qëllimshme për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarë të lartë të qeverisë.

Në reagimin e saj, PD shkruan se zvarritja e çështjes Balluku, si në Kuvend ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, sipas saj nuk është e rastësishme, por pjesë e një operacioni të koordinuar politik, i dirigjuar nga kryeministri Edi Rama, për të penguar veprimtarinë e SPAK-ut.

Sipas demokratëve, mazhoranca socialiste ka zgjedhur vonesën si mekanizëm mbrojtës për Ballukun, ndërsa edhe Gjykata Kushtetuese ka ndjekur të njëjtën linjë, duke shtyrë pa afat vendimmarrjen lidhur me çështjen e saj.

PD vëren se sot Kuvendi ka vijuar këtë praktikë, duke shtyrë pa arsye ligjore mbledhjen e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Kushtetueses, edhe pse kërkesa e SPAK për një masë të re sigurie nuk lidhet me çështjen e pezullimit nga detyra.

Sipas PD Kuvendi, ashtu edhe Gjykata Kushtetuese, janë shndërruar në hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës politik, të komanduar nga Edi Rama.

Sipas PD-së, Gjykata Kushtetuese, pasi ka pezulluar vendimin e GJKKO-së, ka detyrimin ligjor ta shqyrtojë çështjen me përparësi dhe të marrë një vendim që të mos pengojë hetimet e SPAK-ut.

Çdo vonesë, sipas opozitës, i shërben drejtpërdrejt kryeministrit për të blerë kohë përballë drejtësisë dhe i krijon hapësirë Belinda Ballukut për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijimin e aferave korruptive me vlerë miliona euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë