Nga Gazeta ‘Si’– Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, foli për mediat teksa ishte i pranishëm në protestën e organizuar nga PD para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se ka marrë dhe do të marrë pjesë në çdo protestë që PD organizon kundër qeverisë dhe shtoi se askush nuk mund ta kushtëzojë për këtë gjë.
“Duhet një reagim qytetar për korrupsionin masiv të qeverisë. Rasti i Ballukut dhe rasti i AKSHI-t janë dy skandale të mëdha. Jam këtu si në çdo protestë që nga 2013, përveç periudhës kur isha në burg, nga ku kam reaguar përmes letrave publike, për të reaguar kundër keqqeverisjes. Nuk është ndonjë surprizë, unë jam në shërbim të demokratëve”, tha Salianji.
Teksa u pyet nëse ndodhej në protestë për t’i dhënë një mesazh Berishës, i cili e ka cilësuar si të vetë-përjashtuar nga PD, Salianji tha se të gjitha kritikat e tij për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike qëndronin.
Ai shtoi se aksioni i tij politik e ka vënë në lëvizje PD-në, e cila fill pas kafes së bujshme, ka nisur protestat dhe takimet me qytetarët.
“Nga PD jo vetëm që nuk jam vetëpërjashtuar, por jam përfshirë më shumë. Qëndrojnë të gjitha ato që kam thënë. PD ka një lloj ndryshimi që nga momenti që ka nisur kjo lloj lëvizje. Sot PD është në protestë, ka nisur protestat pasi unë nisa lëvizjen. Ka nisur analizën dhe takimet me qytetarët. Efekti është ndjerë dhe i kam bërë një shërbim të madh PD-së dhe qytetarëve”, vijoi më tej Salianji.
Lidhur me një udhëzim të PD-së për rifreskimin e anëtarësisë, që parashikon përjashtimin nga partia të atyre që kanë punuar kundër interesave të kësaj force politike, Salianji tha se ishte një vendim i pakuptimtë.
Salianji shtoi se ky udhëzim sipas tij tregonte qartë që në PD ka nga ata që kanë për qëllim përjashtimin e demokratëve të partia dhe jo rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.
Teksa ‘thumboi’ Berishën, ai vijoi më tej duke thënë se në demokraci anëtarësia përjashton lidershipin nga partia dhe jo lidershipi anëtarësinë.
“Deri në këto momente nuk kam reaguar nga momenti që ka dalë udhëzimi, për të respektuar këtë protestë. Nga nesër do ketë një reagim të qartë për atë çështje, por duket qartësisht që disa kanë interes të përjashtojnë demokratët, ndërsa unë kam interes që të përjashtojmë Edi Ramën. Në demokraci anëtarësia përjashton lidershipin dhe drejtuesit që i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë dhe jo e kundërta, që lidershipi të përjashtojë anëtarësinë”, vijoi Salianji.
Ndërsa lidhur me protestën e sotme dhe formën e protestave që po organizon PD, Salianji tha se Partia Demokratike duket të marrë shembull nga protestat që organizoheshin në vitin 2019, kur ai ishte Sekretar për Aksionin Qytetar në PD. Sipas Salianjit, protestat e opozitës sot duhet të jenë me të njëjtën forcë, intensitet dhe revoltë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



