Është një pritje e madhe që u zgjat më shumë nga çfarë ishte parashikuar. Por pas momenteve të vështira dhe ankthit, tifozët e Totenham mund të gëzohen pasi stadiumi i ri është gati. Sipas medieve angleze impianti i ri i Spurs që do duhej të kishte përfunduar në gusht, tashmë është gati dhe ndeshjet e para do të mund të luhen që prej shkurtit të vitit që vjen. Të gjitha ndërtimet kanë përfunduar, ka mbetur vetëm kolaudimi i fushës dhe testimi të gjitha sistemeve për të evituar çdo problem që mund të shfaqet.

Me stadiumin e ri synohet titulli
“Me stadiumin e ri do të kemi një armë më shumë që do të na ndihmojë të arrijmë më shumë se vendi i dytë në kampionat. Unë nuk kam asnjë dyshim që Wembley është një stadium shumë i bukur, por të luash në stadiumin tënd është një tjetër ndjesi dhe unë mezi po pres ta shoh skuadrën time të zbresë në atë impiant fantastik.”- ka thënë trajneri i Totenhm, Mauricio Poketino. Argjentinasi shumë herë është përfolur për t’u larguar nga Totenham, por duket se nga ajo që shpreh në konferenca një gjë të tillë nuk e ka aspak në planet e afërta.

Totehhami në fakt në 7 vitet e fundit ka shkuar shumë pranë fitimit të trofeut të Premier League, por gjithmonë është ndalur në shkallën e dytë. Në dy nga 6 kampionatet e fundit “Spurs” janë shpallur nënkampion. Edhe në Ligën e Kampionëve paraqitjet kanë qenë pozitive, por ende mungon stofi i një skuadre kampione. Të gjitha skuadrat kampione në Angli në 20 vitet e fundit e kanë fituar nga një trofe të rëndësishëm, duke përfshirë edhe kampionatin, ndoshta këtë herë me këtë impiant të ri është radha e skuadrës nga Londra perëndimore që ta përsërisë këtë sukses.
Shifrat e stadiumit
Bëhet fjalë për stadiumin më të shtrenjtë të ndërtuar në Angli dhe një nga më të shtrenjtët në botë. Në fillim, në vitin 2008, kur u projektua si ide përllogaritej që stadiumi i Totenhamit të kushtonte rreth 350 milionë paund. Më pas kur projekti u hodh në letër, kosto shkoi në 450 milionë paund. Në vitin 2014, kur filloi ndërtimi kosto u shtua në 800 milionë paund, për të arritur në shifrën 1 miliardë paund që besohet se ka shkuar kosto totale e këtij stadiumi. Kapaciteti i tij shkon në 62,062, pa përfshirë zonat e rezervuara, (lozhat) që janë më shumë se në çdo stadium tjetër në Angli. Biletat për të parë një ndeshje në këtë stadium të ri, relativisht do të jenë të larta. Për të gjithë ata që do të kërkojnë të kenë një abonim për ndeshjet deri në fund të kampionatit, do duhet të paguajnë nga 795 paund deri në 2,200, në varësi të tribunës.

Data e përurimit
Nuk ka ende një datë zyrtare, por shumë flasin për shkurtin si muajin më të largët kur mund të luhet një ndeshje futbolli në këtë impiant. Në fakt tifozët kanë hyrë në stadium për ta parë të përfunduar. Por sipas inxhinierëve do duhet të bëhen të gjitha testet e nevojshme të të gjitha sistemeve për të shmangur ndonjë të papritur. Por në fakt ajo që po vonon më shumë tashmë në këtë pikë është fushë, e cila do edhe pak kohë që të jetë në kushtet më optimale. Një pjesë e mirë e medieve në Angli shkruajnë se data e përurimit të stadiumit të ri të Totenham do të jetë 15 janari në përballjen që “Spur” do të kenë me Mançester Junajtid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




