Politike

PS nuk ka arsye të vetëmburret se mund të bëjë reforma pa opozitën

Nga Gazeta ‘Si’- Nëse opozita nuk shkon javën tjetër në komisione për të rifilluar punën për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, dëmin më të madh e pësojnë shqiptarët.

Pavarësisht se Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, e sheh bërjen vetëm të këtyre dy reformave si “fodullëk politik” për shkak të votave, rezultati që kjo do të prodhojë nuk është krenari për socialistët; përkundrazi, është demonstrim i mungesës së largpamësisë.

Dje (të hënën) ai paralajmëroi demokratët se vetëm një javë kohë mund t’i presin. Ironikisht dhe në mënyrë kërcënuese, socialistët iu drejtuan opozitës duke thënë se mund t’i bëjnë këto dy reforma edhe vetë, ashtu siç bënë në 2015 dhe 2024.

Seanca e kuvendit e 19 janarit 2026

Sigurisht, opozita në seancën e djeshme, e irrituar me prezencën e zv/kryeministres Balluku, nuk e kishte këtë hall. Megjithatë, nëse opozita nuk vjen, halli mbetet i shqiptarëve, pasi të dyja këto reforma, të bëra më herët, ishin shumë pak rezultative, për të mos thënë të dobëta.

Megjithëse reformat territoriale dhe zgjedhore në Shqipëri u paraqitën si hapa të rëndësishëm për modernizimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë, në praktikë ato u shoqëruan me probleme të shumta.

Reforma territoriale (2014–2015) u miratua pa konsensus të gjerë politik, çka e dobësoi legjitimitetin e saj. Një nga problemet kryesore ishte se nuk uli kostot administrative, siç ishte premtuar, por në shumë raste i rriti ato, për shkak të zgjerimit të administratës dhe krijimit të strukturave paralele në njësitë administrative.

Po ashtu, reforma distancoi shërbimet nga qytetarët, sidomos në zonat rurale, duke e bërë më të vështirë aksesin në shërbime publike. Bashkitë shumë të mëdha territorialisht patën vështirësi në administrim dhe mungesa e decentralizimit real financiar i la ato të varura nga qeveria qendrore. Një tjetër problem ishte humbja e përfaqësimit lokal, pasi ish-komunat u shkrinë dhe roli i njësive administrative mbeti i kufizuar.

Reforma zgjedhore, megjithëse solli disa përmirësime teknike, nuk e zgjidhi problemin themelor të garantimit të zgjedhjeve plotësisht të lira, të ndershme dhe konkurruese. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, vazhdojnë problemet me pabarazinë në garë, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe mungesën e besimit në proces.

Hapja e pjesshme e listave nuk e ka kufizuar realisht kontrollin e kryetarëve të partive mbi përfaqësimin, ndërsa ndryshimet e shpeshta të Kodit Zgjedhor kanë krijuar pasiguri ligjore. Edhe pse institucionet zgjedhore janë forcuar formalisht, ndikimi politik dhe problemet në zbatim mbeten të pranishme.

Në përfundim, të dyja reformat tregojnë se ndryshimet ligjore, pa konsensus politik, zbatim efektiv dhe adresim të problemeve strukturore, nuk mjaftojnë për të arritur qëllimet e shpallura të decentralizimit dhe të demokracisë funksionale.

PS nuk duhet të mburret dhe as të japë ultimatume. Ashtu si opozita dikur, edhe kjo mazhorancë nuk prodhoi ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm për shqiptarët.

Përkundrazi, reformat, së pari, kërkojnë pjesëmarrje dhe konsensus, por mbi të gjitha mendje të hapura për të mirën e shqiptarëve dhe jo të politikës. Mazhoranca mund të prodhojë dy dokumente, një për reformën territoriale dhe një tjetër për reformën zgjedhore, dhe edhe t’i votojë në Kuvend, por ato, siç ka treguar koha, nuk mund të jenë funksionale nëse socialistët nuk reflektojnë në komisione për hartimin e një reforme të re territoriale dhe zgjedhore, duke filluar të heqin diçka nga vetja për t’ia dhënë jo opozitës, por shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë