Nga Gazeta Si- Debati i hapur së fundmi në Shqipëri mes aktores Eliona Pitarka dhe pediatrit Edi Tushe ka rikthyer në vëmendje një çështje gjithnjë e më të ndjeshme: kufiri mes komunikimit publik, përvojës personale dhe autoritetit mjekësor, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve.
Mjeku Edi Tushe akuzon aktoren Eliona Pitarka se ka përdorur emrin e tij pa autorizim në përmbajtje që lidhen me dieta për fëmijë, “me qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim profesional dhe që nuk i kam miratuar apo mbështetur. Nuk kam autorizuar Eliona Pitarkën apo asnjë person tjetër të përdorë emrin tim për të promovuar dieta për fëmijë, këshilla ushqimore apo përfitime personale të çfarëdo forme”, tha mjeku Tushe, duke sqaruar më tej se situatën do e ndjekë në rrugë gjyqësore.
Pas kësaj ka reaguar Pitarka, duke thënë se postimet e saj ishin vetëm informacion i përgjithshëm për ndihmën e prindërve që nuk përballojnë dot klinikat private.
“Asnjëherë nuk kam publikuar regjimin ushqimor të fëmijëve të mi, as nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte apo përfitime. Në komunikime private, ai më ka mbështetur të ndaj këshilla të përgjithshme për nënat”.
Por si i trajton Europa situata të ngjashme dhe sa i ndryshëm është konteksti shqiptar?
Europa ka rregulla të qarta dhe tolerancë minimale. Në shumicën e vendeve europiane, influencerat nuk ndalohen të flasin për shëndetin, por u ndalohet qartë të japin këshilla konkrete mjekësore, sidomos për fëmijët. Qasja është kryesisht parandaluese dhe institucionale, jo e bazuar në përplasje individuale.
Praktikisht, vija ndarëse është e përcaktuar qartë!
Në Francë, influencerat ndalohen të promovojnë ose të rekomandojnë trajtime mjekësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë.
Shkeljet ndëshkohen me gjoba të rënda, ndalim të përkohshëm të aktivitetit online dhe në raste ekstreme, ndjekje penale.
Franca ka miratuar një ligj që e bën të paligjshme promovimin e praktikave të caktuara mjekësore dhe pajisjeve shëndetësore nga influencuesit, me penalitet deri në 2 vjet burg dhe gjobë deri në 300,000 euro për shkelësit.
Ligji francez e trajton këtë si mbrojtje të shëndetit publik, jo si debat mbi lirinë e shprehjes.
Ndërsa në Gjermani, çdo përmbajtje nga një influencer jo-mjek që duket si trajtim ose rekomandim i produkteve konkrete, klasifikohet si reklamë e paligjshme shëndetësore ose ushtrim i paautorizuar i profesionit mjekësor. Ndërhyrja zakonisht vjen nga autoritetet rregullatore, jo nga mjekë individualë.

Në Itali e Spanjë qasja është e ngjashme. Lejohet informacioni edukativ por ndalohet të thuash çfarë të përdorësh dhe çfarë t’i japësh fëmijës ose personit që është sëmurë, sidomos kur bëhet fjalë për simptoma si diarreja, temperatura apo infeksionet.
Raste konkrete kur influencerat janë paditur
Brittany Dawn Davis, një influencer fitness-i e popullarizuar në rrjete sociale, u padit nga Zyrtarët e Prokurorisë së Texasit për praktika të padrejta të konsumatorit, përfshirë dhënien e planeve ushqimore dhe këshillave shëndetësore pa kualifikim adekuat.
Ndërsa Thierry Casasnovas është një influencer francez i njohur për këshillat “natyraliste” mbi shëndetin dhe ushqimin, që ka përfunduar nën hetim dhe nën kontrolle gjyqësore për mashtrim, praktikë e paautorizuar ‘mjekësore’ dhe abuzim me persona të cënueshëm.
Prokuroria franceze e çoi çështjen para drejtësisë duke e akuzuar për këshilla të pasakta dhe të rrezikshme shëndetësore dhe për praktika komerciale mashtruese, madje ai u ndalua nga të jepte këshilla shëndetësore online brenda kontrollit të tij gjyqësor.
Në Europë, influencerat mund të flasin për diarrenë për shembull, por jo t’u thotë prindërve çfarë të përdorin për ta trajtuar tek fëmijët.
Kjo vijë është thelbësore pasi sapo informacioni kthehet në rekomandim trajtimi, përgjegjësia nuk është më thjesht morale, por ligjore.
Në Shqipëri, kjo ndarje nuk është ende e qartë. Rasti Pitarka–Tushe nuk lidhet me reklamë apo dezinformim klasik, por me përdorimin e emrit të një mjeku real në komunikim publik, çka e zhvendos debatin nga “çfarë u tha” te “kush ka të drejtë ta thotë”.
Ndryshe nga Europa, në Shqipëri mungojnë udhëzimet e qarta për influencuesit dhe nuk ka një kornizë të konsoliduar për komunikimin shëndetësor online. Në këto kushte, vijnë dhe pasojat ku konfliktet shpesh personalizohen, në vend që të trajtohen institucionalisht.
Në vendet europiane, këto çështje janë trajtuar prej vitesh si problem rregullimi dhe mbrojtjeje të publikut, sidomos të fëmijëve. Në Shqipëri, rasti i fundit tregon se ky debat sapo ka nisur dhe se mungesa e rregullave të qarta e lë hapësirën të hapur për përplasje publike, pa zgjidhje strukturore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



