Gazeta “SI”- “24 orë nga jeta e një votuesi” vjen si një premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar – ArTurbina, duke ftuar publikun të përjetojë një komedi satirë-kabare që godet me humor të mprehtë realitetin e përditshëm shqiptar.
Shfaqja vendos ngjarjen në të sotmen dhe e shtrin kohën e veprimit mes së djeshmes, së tashmes dhe asaj që vazhdon të përsëritet, duke ndërtuar një pasqyrë të drejtpërdrejtë të përvojës qytetare.
Në qendër të saj është votuesi i zakonshëm, i përfaqësuar përmes interpretimit të katër aktorëve, të shoqëruar në skenë nga tre muzikantë, të cilët ndërtojnë një atmosferë dinamike ku humori dhe satira ndërthuren natyrshëm. Me një intensitet simbolik të përkthyer në qindra mijëra “doza humori” dhe “goditje satire”, shfaqja i fton spektatorët të qeshin, por edhe të reflektojnë mbi zgjedhjet dhe pasojat e tyre.

Në role interpretojnë Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj, ndërsa shfaqja vjen nga dhe nën regjinë e Driada Dervishit. Teksti mbështetet në poemën satirike “E të tjera, e të tjera” të Teodor Kekos dhe ndërtohet mbi disa motive të Naun Shundit, duke sjellë në skenë një gjuhë teatrale të mprehtë dhe aktuale.
Muzika, e kompozuar nga Aulon Naçi, luan një rol të rëndësishëm në ritmin dhe frymën e shfaqjes. Ajo interpretohet live nga Gent Rrushi në fizarmonikë, Ermal Rodi në klarinetë dhe Emiljan Dhimo në perkusion, ndërsa për përgatitjen vokale të aktorëve është kujdesur Artur Vera.

Shfaqja vjen si një ftesë e hapur për publikun që, përmes humorit dhe auto-ironisë, të përballet me realitetin dhe përgjegjësinë qytetare. “24 orë nga jeta e një votuesi” do të shfaqet nga data 13 deri më 18 janar, çdo mbrëmje në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar – ArTurbina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



