Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama për krijimin e një narkoshteti, duke deklaruar se sot Shqipëria sipas tij vlerësohet si një rrezik për Europën.
Ai solli në vëmendje vitin 2015, të cilin e cilësoi si një periudhë të errët, kur sipas tij vendi u mbush me plantacione kanabisi nga Kakavija deri në kufirin me Plavën e Gucinë.
Në tryezën e organizuar nga PD me pjesëmarrjen e partive të opozitës, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe intelektualëve, ai tha se Shqipëria zyrtare është sipas tij koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë.
Sipas tij në kuadrin e karteleve, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë.
“Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve.
Se sa shkatërrimtare është për ligjin, për demokracinë, për jetën, për ekonominë e një vendi kjo para.
Dhe sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Europën. Duhet të njohim një meritë historike presidentit Donald Trump që shpalli kartelet e drogës organizata terroriste. Sepse në fakt për fuqinë e tyre shkatërrimtare, ato krahasohen dhe tejkalojnë organizatat më të fuqishme terroriste.
Në këtë kuadër të karteleve organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë. Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye.
Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë.
Dhe çmimin e përcakton ai që sjell më shumë. Ai që është aksionari më i madh.
Dhe aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Franc Çopja dhe grupe të tjera që ne as i dimë”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




