Duhen edhe pak ditë nga fillimi i merkatos së Janarit që këtë herë pritet të jetë ndryshe nga vitet e shkuara. Që në dhjetor disa klube të mëdha europiane i kanë bërë lëvizjet e tyre të para. Kjo merkato janari për herë të parë në 7 vitet e fundit do të na paraqesë një Paris Sën Zhërmen si klub që largon lojtarë. Në gjithë këto vite, që kur në Paris zbarkoi sheiku arab, Naser PSG ka bërë shpenzime marramendëse në blerje lojtarësh. Mjafton të përmendim faktin që dy lojtarët më të shtrenjtë për momentin në merkato, Nejmar dhe Mpape janë në gjirin e këtij ekipi për të kuptuar se çfarë shpenzimesh ka bërë PSG. Por pas këtyre parave të shpenzuara ka ardhur koha që të bëhen edhe arkëtime.

Nisur edhe nga dënimet e UEFA-s, e cila e ka detyruar klubin francez që të respektojë fair play financiar, PSG në këtë janar do të shesë të paktën 6 lojtarë. Pjesa më e madhe do të jenë lojtarë stoli që nuk bindin Tukel për të vazhduar edhe në të ardhmen. Por pritet të ketë edhe lojtarë që këtë sezon kanë veshur fanellën e titullarit. Adrien Rabiot, Di Maria, Çupo Moting, Draxler, Kavani dhe Bernede janë gjashtë emrat që kanë koefiçentin më të lartë për t’u larguar nga PSG këtë merkato. Por nga ky treg daljesh te PSG nuk duhen përjashtuar edhe emra si Mbape, Verrati apo Markinjo. Por gjithsesi këto tre emra janë me peshë të ekipi francez dhe do të duhej shumë punë që ata të linin Parisin që në janar dhe me shumë gjasa për ta mund të flitet vetëm në verë.

Rabiot është i pari që pritet të “marrë valixhet” këtë janar. Destinacionet për mesfushorin francez janë të shumta. E para në listë është Barcelona që kërkon t’i besojë atij çelësat e mesfushës në dorë. Por edhe Juventus është e interesuar për shërbimet e Rabiot, ashtu siç është edhe Çelësi dhe Arsenali në Angli. Edhe për Di Maria ka disa alternativa të hapura dhe argjentinasi është i prirur drejt një largimi nga kryeqyteti francez. Për Kavanin është shtruar pista e kalimit në Madrid, te Reali por edhe te një rikthim i mundshëm te Napoli, aty ku e pret Ançeloti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




