Politike

Dosja e AKSHI-t, Rama: Akuza për Karçanajn, e hatashme! Të presim drejtësinë, jo tenxheret politike

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me hetimin e SPAK ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe tenderët e këtij institucioni, duke marrë në mbrojtje drejtoreshën Mirlinda Karçanaj.

Gjatë Podkastit “FLASIM”, Rama e cilësoi akuzën ndaj Karçanajt si “të hatashme”, duke theksuar se e vërteta mund të dalë vetëm nga procesi gjyqësor dhe jo nga ajo që ai e quajti “700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike”.

Rama theksoi se sipas tij Karçanaj ka udhëhequr me dije, vullnet dhe përkushtim realizimin e vizionit qeverisës për transformimin digjital të shtetit shqiptar.

“AKSHI përballet sot me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Mirlinda Karçanaj, që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë për transformimin digjital të qeverisë për 12 vite me radhë, gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme. Për këtë duhet pritur me durim vetëm drejtësia”, u shpreh Rama.

Ai e lidhi reagimin e tij edhe me raportin më të fundit të Bankës Botërore, GovTech Maturity Index 2025, i cili vlerëson nivelin e transformimit digjital të sektorit publik në 197 vende të botës.

Rama tha se Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 14-të, nga vendi i 64 që mbante në vitin 2022.

Sipas tij, ky rezultat është fryt i drejtpërdrejtë i punës së AKSHI-t dhe ekipit të drejtuar nga Karçanaj. Shqipëria, tha Rama, jo vetëm që vijon të jetë pjesë e Grupit A, grupi me maturitet të lartë digjital, por ka arritur 0.939 pikë nga maksimumi 1, duke lënë pas vende si Danimarka, Singapori dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kryeministri theksoi se raporti i Bankës Botërore është objektiv dhe profesional, por nënvizoi se ai nuk justifikon asnjë shkelje të mundshme të ligjit.

“Nëse ka pasur shkelje, këtë mund ta thotë vetëm drejtësia”, tha Rama, duke shtuar se zhurma politike dhe mediatike sipas tij nuk e zhbën dot rezultatin e arritur nga Shqipëria në fushën e qeverisjes digjitale.

Hetimi i SPAK ndaj AKSHI-t mbetet në proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë