Libra

Sa i vërtetë duhet të jetë një libër kujtimesh?

Disa autorë dhe lexues pranojnë se kujtimet janë subjektive dhe se rrëfimi kërkon një dozë interpretimi dhe forme letrare. Të tjerë këmbëngulin se thelbi i këtij zhanri është ndershmëria dhe besimi midis autorit dhe lexuesit. Pa këtë besim, memuari rrezikon të humbasë forcën e tij morale dhe ndikimin shoqëror.

Gazeta “SI”-Në vitin 2025, historitë personale u shndërruan në një nga format më të fuqishme të rrëfimit letrar, por njëkohësisht nxorën në pah edhe dilema serioze mbi të ardhmen e memuar-et si zhanër. Gjatë këtij viti, librat autobiografikë dominuan shpesh titujt e mediave, herë për ndikimin e fortë emocional që patën, e herë për polemikat që lindën rreth vërtetësisë së tyre.

Një nga rastet më të bujshme ishte libri Careless People i Sarah Wynn-Williams, ku autorja rrëfen përvojën e saj si drejtuese në Meta. Edhe pse ishte nën një urdhër ndalues që i pengonte promovimin publik, libri u bë bestseller, duke treguar etjen e publikut për rrëfime nga brenda botës së pushtetit. Po aq i fortë ishte ndikimi i autobiografisë postume të Virginia Giuffre, Nobody’s Girl, ku ajo përshkruan abuzimin seksual të ushtruar ndaj saj nga Jeffrey Epstein dhe rrethi i tij. Libri pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe rriti presionin publik që çoi në heqjen e titujve të Andrew Mountbatten-Windsor, i cili i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Edhe politika u pasqyrua përmes kujtimeve, me librin 107 Days të Kamala Harris, ku ajo flet për fushatën e saj presidenciale dhe kritikon hapur Joe Biden. Paralelisht, viti solli kujtime nga figura të njohura botërore si Margaret Atwood, Malala Yousafzai dhe Jacinda Ardern, si edhe rrëfime tejet personale e prekëse, ndër to libri i Yiyun Li për humbjen tragjike të dy djemve të saj dhe ai i Arundhati Roy, i mbushur me reflektime intime mbi jetën dhe familjen.

Megjithatë, jo të gjitha memuaret e vitit 2025 u pritën pozitivisht. Libri American Canto i gazetares Olivia Nuzzi, i cili përfshinte një rrëfim mbi një marrëdhënie digjitale me Robert F Kennedy, u kritikua ashpër dhe, pavarësisht vëmendjes së madhe mediatike, dështoi në shitje. Një tjetër debat u ndez rreth librit The Tell të Amy Griffin, që rrëfen abuzimin seksual në fëmijëri përmes kujtimesh të rikuperuara gjatë terapisë me MDMA, duke ngritur pyetje mbi besueshmërinë e kujtimeve të tilla.

Skandali më i madh letrar i vitit lidhej me The Salt Path të Raynor Winn, një memuar shumë i dashur nga publiku që tregonte udhëtimin e saj dhe të bashkëshortit përgjatë bregdetit jugperëndimor të Anglisë, pas humbjes së shtëpisë dhe diagnozës së një sëmundjeje neurologjike terminale. Historia e qëndrueshmërisë dhe shpresës, e cila kishte shitur miliona kopje dhe ishte përshtatur edhe në film, u vu në pikëpyetje kur një hetim gazetaresk zbuloi mospërputhje serioze në rrëfim dhe ngriti dyshime mbi shkaqet reale të humbjes së shtëpisë dhe gjendjen shëndetësore të bashkëshortit. Edhe pse autorja i mohoi akuzat dhe e quajti hetimin të padrejtë, debati nuk u shua, ndërsa libri vazhdoi të shitej dhe filmi të shfaqej.

Këto raste ringjallën një debat të vjetër: sa i vërtetë duhet të jetë një libër memuaristik. Disa autorë dhe lexues pranojnë se kujtimet janë subjektive dhe se rrëfimi kërkon një dozë interpretimi dhe forme letrare. Të tjerë këmbëngulin se thelbi i këtij zhanri është ndershmëria dhe besimi midis autorit dhe lexuesit. Pa këtë besim, memuari rrezikon të humbasë forcën e tij morale dhe ndikimin shoqëror.

Në një kohë kur librat që ndërthurin përvojën personale me idenë e shërimit përmes natyrës janë bërë gjithnjë e më të njohur, polemikat e vitit 2025 treguan se publiku jo vetëm kërkon histori frymëzuese, por edhe llogaridhënie për të vërtetën. Memuari -i mbetet një formë jashtëzakonisht e fuqishme rrëfimi, por e ardhmja e tij varet nga aftësia për të ruajtur ekuilibrin mes narrativës artistike dhe ndershmërisë faktike.

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë