Nga Gazeta “SI”- Prishtinën e gjeta në brymë dimri, të zbardhur nga ngrica e mëngjesit, që megjithatë nuk ia del ta ndalojë vrullin e një qyteti që gjallon ditë e natë. Klima e ashpër dhe i ftohti ngjajnë sikur janë në sinkron me klimën politike, të ashpër, agresive dhe tejet të polarizuar.
Rruga për në qendër është e shkurtër: nga stacioni deri te katedralja janë vetëm shtatë minuta, përgjatë të cilave kundron thuajse tërë Prishtinën, tipologjitë e njerëzve, bizneset, godinat dhe arkitekturën mikse, e cila vitet e fundit sikur ka hyrë në një fazë shndërrimi të pandalshëm.
Grataçelat ia kanë mësyrë edhe qiellit të Prishtinës; zhvillimi nuk pyet. Është e çuditshme kur mendon se ky qytet, vetëm 25 vite më parë, ishte nën shtetrrethim e okupim, ndërkohë që sot, si një qytet tërësisht i lirë, po rreket të rigjejë veten dhe rrënjët e veta perëndimore.
Por ka gjurmë të pashlyeshme në jetën e Prishtinës, të cilat më së shumti jetojnë në mendjen dhe kujtesën e prishtinalive. Një lloj nostalgjie e legjitimuar për kohën kur arti, politika dhe angazhimi social kishin kuptim thelbësor, kuptim që sot është relativizuar, duke e shndërruar skenën politiko-shoqërore të qytetit pothuajse në një arenë përplasjesh.
Prishtina është qytet që rrëfen. Rrëfen me gjithçka: me godinat e vjetra që mbartin trishtimin e një kohe, por edhe funksionalitetin e një kohe tjetër. Dy koraca që mbivendosen, duke e bërë të pamundur të flasësh për këtë qytet pa i bashkëngjitur konotacionet e para- dhe pas-çlirimit.

Por ajo rrëfen edhe përmes njerëzve. Individëve që bisedat i ndërtojnë më shpesh mbi “si ishte” dhe shumë më pak mbi “si është”. Dhe ngjan sikur qyteti jeton vetëm përmes kujtimeve.
Njeriu që kujton dhe pendesa e Vuk Draskovic.
Në “Prince Café” mezi gjen vend për t’u ulur. Sapo shtyj derën dhe gjendem në verandën e madhe përplot njerëz, dëgjoj një zë që më thërret. Nuk është çudi, në Prishtinë kam plot miq. Behxhet Bici, botuesi i “Koliqit”, është ulur diku në qoshe dhe më fton të ulem me të. Një lehtësim i vogël, kur sheh se në sallë nuk ka asnjë vend të lirë.
Behxheti është botues dhe flet me pasion për librat e rinj që po boton. Ministria e Kulturës së Kosovës financon dhe shpërblen shumë vepra letrare, duke ua bërë jetën më të lehtë botuesve. Por Behxheti është nga ata që po e ndërton rrugëtimin e vet me kujdes, duke zgjeruar hartën e autorëve cilësorë që boton. Përvoja e tij jetësore e ka “përplasur” me shumë njerëz, të cilët, për mirë apo për keq, përbëjnë bazën e rrëfimeve të tij.
Ai nis të kujtojë: nga anekdotat për poetin e madh Ali Podrimja e deri te botimi i fundit, romani “Murgu Hokaj” i shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit serb Vuk Draskovic. Një kundërshtar i përbetuar i Kosovës dikur, por edhe i njohur për polemikat e tij letrare në gazetën franceze Le Monde, përballë Ismail Kadaresë gjatë luftës në Kosovë.
Pyetja që më lind natyrshëm është: si guxoi ta botojë Draskovicin në shqip?
Behxheti qesh. “Vuku ka ndryshuar”, thotë, dhe nis të rrëfejë bisedën me të para botimit.
“Ai Draskovic ka vdekur”, i paska thënë vetë autori. Sipas tij, po t’i kthehej koha, nuk do t’i shkruante dhe nuk do t’i botonte ato që kishte botuar njëherë e një kohë. Një pendesë që, sipas Draškovićit, e njeh edhe besimi ortodoks. Dhe të bën të mendosh se, krahas ndryshimeve të mëdha në Kosovë, edhe në Serbi sikur po vetëdijësohen për një realitet tashmë të pakthyeshëm.
Të besosh në pendesën e një figure të tillë, sot kur gjithçka duket e përfunduar dhe Kosova është e lirë, ngjan pothuajse irrituese. Por Behxheti këmbëngul, gjithmonë duke iu referuar bisedës me vetë autorin në fjalë: “Draskovici i vjetër ka vdekur bashkë me përpjekjet e tij politike të dikurshme”.

Fakti që Serbia e ka futur në listën e personave të padëshiruar e bën këtë rrëfim më të besueshëm. Pendesa e tij është përballur me heshtje; media dhe shoqëria serbe, sipas Behxhetit, e kanë injoruar, duke mos u besuar shkrimeve të tij të fundit.
Dhe ai ka shkruar një roman së fundmi, i cili në subjekt ka historinë e një individi serb që në thelb është e gjithë historia e ish-Jugosllavisë.
Romani “Murgu Hokaj” rrëfen të vërteta të dhimbshme, anën e errët të faktorit serb, që rrallë pranohet e aq më pak artikulohet. Historia e një djaloshi serb, i rrëmbyer nga UDB-ja dhe i shndërruar në snajperist, që qëllon mbi Sarajevë me një etje gjaku të pashpjegueshme, derisa, për ta shpëtuar nga Haga, e fshehin në një manastir, ku vesh petkun e murgut. Një metamorfozë nga instrument i shtetit në instrument të kishës.

Draskovici thekson se dy armiqtë më të përbetuar të Ballkanit janë UDB-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe – paradoksale, por e besueshme, kur vjen nga dikush që ka qenë mbështetës i zjarrtë i tyre.
Pendesa e tij mbase mbetet “e sinqertë”, por e shkuara shpesh e dikton gjithë jetën tonë.
Kujtesa si formë mbijetese
Behxheti mbart një veçori që e karakterizon brezin e tij në Kosovë: ata kujtojnë. Flasin për njerëz që nuk jetojnë më. Më rrëfen për Petraq Kolevicën, Lasgush Poradecin, Tahir Deskun, Eqrem Çabejn, Fatos Nanon, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Hashim Thaçin, e deri te takimi me Albin Kurtin – momente të fiksuara në fotografi që ai i mban gjithmonë me vete.
Por mbi të gjitha, kujton shkrimtarët dhe poetët. Xhevdet Bajraj është njëri prej tyre. E përmend me lot në sy. Kujtesa, për Bexhetin, është mënyra për të ndërtuar intelektin dhe komunikimin me botën. Një formë mbijetese për shqiptarët e Kosovës, në një kohë që nuk garantonte as të sotmen, e lëre më të nesërmen.
Kujtesa në Prishtinë është forma më e qartë e mbijetesës , jo si ikje nga e tashmja, por si një realitet që e ndërtoi këtë qytet me histori, brenga, por edhe tmerre, të cilat vlejnë për t’ia rikujtuar vetes, por edhe të tjerëve, se nga vihet dhe se ku do të shkohet.
Gjithsesi sot Prishtina është nën ngricë. Temperaturat kanë rënë nën zero, por megjithatë rrugët janë plot. Ka gjithmonë një etje për jetë në Prishtinë, e cila vërehet kudo , nga të rinjtë e bukur dhe të veshur mirë, e deri te mosha e tretë, e cila mbahet mes kujtimeve dhe vështirësive të përditshme. Në mesin e muajit, i gjen të rreshtuar para bankave, duke pritur pensionin, për të marrë ato pak para me të cilat mbajnë frymën gjallë.

Por Prishtina jeton. Ecën përpara mes zhvillimit, etheve për pushtet dhe kujtimeve të thella. Kujtime që, me gjasë, do të ndërtojnë realitetet e ardhshme jo përmes nostalgjisë, por përmes rrëfimit dhe shpresës.
Behxheti është një ndër ta që rrëfen dhe që ia kujton shoqërisë se vetëm duke mos harruar, nuk do të përsëritet ana e errët e historisë , ajo që mbarti luftën, nostalgjinë dhe pendesën, edhe pse shpesh shumë vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




