Nga Gazeta ‘Si’- Në konferencën për media, Sali Berisha u pyet edhe për ultimatumin e Taulant Ballës për Komisionet e Posaçme të Reformës Zgjedhore dhe Territoriales, për të cilat PD ka njoftuar bojkot.
Berisha e sulmoi duke e konsideruar bashkëpunëtor të ngushtë të krimit dhe ushtar të Suel Çelës në Elbasan. Ai theksoi sërish se me veprimet që PS bëri për të zgjedhur Endrit Shabanin si Avokat të Popullit shkatërroi çdo mundësi bashkëpunimi me opozitën.
Më herët, Balla theksoi pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së se vendimi i demokratëve për të bojkotuar dy komisionet pas zgjedhjes së avokatit të popullit ishte emocional dhe se PS nuk pranonte kërcënime apo shantazhe.
Balla ‘i la kohë’ opozitës të reflektonte deri me 22 janar kur nis edhe sesioni i ri parlamentar.
“Taulant Toyota Yaris duhej të ishte, për veprat penale që ka kryer, i dënuar me të paktën 30 vite burg.
Porositësi i vrasjeve, sipas dokumenteve zyrtare, të shkatërruara me procesverbale, bashkëpunëtor i ngushtë i krimit, që shkoi dhe liroi me urdhër të Suel Çelës, ky është një ushtar i Suel Çelës, terroristët që vunë tritolin nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës, bashkë me prokurorin Vath Staka shkuan dhe i liruan.
Taulant Balla është i regjistruar për bisedat që ka bërë me Mario Çelën, vëllain e Suel Çelës, në të cilën parashtrohen kushtet ku merr përsipër arrestimin e kundërshtarëve të bandës Çela në Elbasan, në mënyrë që ajo të angazhohet në veprimtari elektorale dhe të garantojë votat e premtuara.
Taulant Balla është i regjistruar, por mbrohet nga Altin Troplini, në dosjen Toyota Yaris, ku kërkon tërheqjen e aseteve të bandës Toyota Yaris, që ishin të bandës së Elbasanit, që ishin konfiskuar, rikthimin e tyre tek policia, në mënyrë që ai t’i vononte, t’i nxirrte jashtë afateve ligjore”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




